Politika kosovare ka kujtuar 2 Korrikun e saj, atë ditë ku nisi rrugëtimin përpjekja politike e konstitucionale për pavarësimin e Kosovës me aktin  Deklaratës Kushtetuese të Pavarësisë së saj.

Kështu u vlerësuar dhe presidenti Thaçi në një shënim të tij.

“Sot u bën 28 vjet nga shpallja e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, e cila ishte një akt konstitucional për realizimin e aspiratave të popullit tonë për shtetësinë e Kosovës. Delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, me guxim, maturi dhe pjekuri politike e artikuluan vullnetin e qytetarëve, i cili çoi drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Pas shumë zhvillimeve historike, Kosova më në fund realizoi projekte të mëdha politike: çlirimin, tranzicionin dhe pavarësinë”, shkruan Thaçi në Facebook.

Ndërsa kryekuvendari Kadri Veseli, priti në takim delegatët nëshkrues të kësaj deklarate, me ç’rast i uroi për këtë ditë të rëndësishme, ndërsa çmoi lart kontributin e tyre në kohë dhe rrethana të vështira.

“Akti juaj madhor i parapriu proceseve të tjera të rëndësishme në vitet në vijim: rezistencës paqësore dhe luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kulmoi me çlirimin e Kosovës dhe vite më vonë me shpalljen e pavarësisë së saj”, theksoi Veseli.

Ndërsa kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh zv.kryeministër Fatmir Limaj, vlerëson se 2 Korriku i vitit 1990 shënoi kthesën e madhe në përpjekjet e Kosovës për liri e pavarësi.

“2 korriku i vitit 1990 mbetet nder datat më të rëndësishme në historinë e Kosovës, e cila i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut dhe ngjarjeve tjera të mëdha të cilat çuan në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës”, thotë Limaj.

Më tutje, Limaj shkruan se sot kujtohet me respekt vepra dhe sakrificën e delegatëve të atëhershëm të cilët në rrethana të jashtëzakonshme legjitimuan vullnetin e qytetarëve të Kosovës për liri e pavarësi.

Kujtojmë se Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme socialiste në federatën jugosllave.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re