Qindra qytetarë të Kosovës kryen sot homazhe në Reçak për të përkujtuar 45 të vrarët e “Masakrës së Reçakut”. Më 15 janar 1999 forcat paramilitare serbe ekzekutuan dhjetëra civilë të paarmatosur në disa pjesë të ndryshme të fshatit që ndodhet rreth 30 kilometra larg Prishtinës.

 

Familjarë të viktimave me kurora lulesh në duar kryen homazhe në kompleksin memorial në Reçak.

 

Në homazhe morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, të shoqëruar edhe nga ambasadori, William Walker, ish-kryesues i Misionit Verifikues në Kosovë në vitet ’99.

 

Përmes një reagimi në Facebook, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar viktimat. Ai ka shkruar se kjo masakër mbetet dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar.

 

Nga ana tjetër Serbia ende e mohon masakrën duke e cilësuar si të fabrikuar. Masakrën e Reçakut e ka hedhur poshtë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke e cilësuar “trillim”.

 

Masakra e Reçakut shënoi kthesën e luftës së Kosovës dhe për herë të parë faktori ndërkombëtar e cilësoi ngjarjen “krim kundër njerëzimit”. Nisur nga kjo, NATO nisi më 24 mars, 1999, bombardimet mbi Serbi me qëllim ndaljen e masakrave të tjera të ngjashme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re