Fitoret e Kukësit, Luftëtarit dhe Teutës janë ato që kanë ndryshuar renditjen në javën e 29të të Kategorisë Superiore. ‘’Pokeri’’ kukësian duket se ‘’djeg’’ luftën për vendin e dytë ndërsa Luftëtari ia del të parakaloj Laçin në klasifikim. Fitore e thjeshtë për Flamurtarin ndërsa Skënderbeu mban ritmin e fitoreve. Sot kjo javë është mbyllur me fitoren e rëndësishme të Teutës ndaj Vllaznisë mbajnë hapur garën e mbijetesës.

Kukësi  4-0 Partizani

Shënues: Guri 8’, 40’, 79’, Xharia 28’

Fitorja e verilindorëve arrihet që në fraksionin e parë falë dy golave të Gurit dhe atij të Xharias. Ndërsa në të dytën është sërish Guri që vulos sfidën dhe merr topin në ‘’shtëpi’’ me këtë tregolësh. Ky tregolësh tregon formën e sulmuesit shkodran por njëkohësisht i jep Kukësit ‘’saldimin’’ në vendin e dytë.

Lushnja 0-2 Flamurtari

Shënues: Nedeljkoviç 30’, Useini 87’

Flamurtari realizon një detyrë shtëpie në transfertë duke mundur Lushnjen që tashmë është kthyer në një tabelë qitjeje nga të gjithë dhe nuk dihet nëse do të ‘’zgjohet’’ një ditë për të luajtur.

Një gol i Nedljkoviç në pjesën e parë dhe një tjetër i Useinit në të dytën ‘’ringjallin’’ Flamurtarin dhe e rifusin në lojë në garën europiane ndërsa në mesjavë pret të luaj edhe ndeshjen e kthimit të Kupës.

Luftëtari 2-1 Laçi

Shënues: Bregu 44’, Shkurtaj 61’(11-metërsh)/Sefgjini 65’

Një ndeshje binjakësh ajo e zhvilluar në Gjirokastër me dy skuadra të ndërtuara me futbollist të njejtë dhe që synojnë objektiva të njëjta. Ndeshja është dominuar nga vendasit por goli vjen vetëm në  fundin e pjesës së parë falë një goli model të shënuar nga Bregu.

Dyfishimi vjen në pjesën e dytë me sulmuesin Shkurtaj nga pika e bardhë në minutën e 61’. Në zhvillimet e një goditjeje këndore është kapiteni i kurbinasve Sefgjini që shënon por në fund janë gjirokastritët që fitojnë.

Teuta 2-0 Vllaznia

Shënues: Hrkaç 32’, Hakaj 45+1’

Teuta fiton finalen e mbijetesës duke barazuar kështu Vllazninë në renditje dhe e ka kthyer në më shumë emocionale garën e mbijetesës. Dy golat që vendosin ndeshjen janë shënuar në pjesën e parë fillimisht me Hrkaçdhe në fundin e saj është një shkodran Hakaj që dyfishon shifrat. Tashmë gara e mbijetesës është bërë më e bukur pasi tani Teuta dhe Vllaznia janë me pikë të barabarta dhe Kamza vetëm një pikë më shumë se ata./Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re