Janë luajtur sot 4 ndeshjet e javës së 22të të Kategorisë Superiore duke dhënë rezultate surprizuese dhe ndryshime në klasifikim në pritje edhe të ndeshjes së fundit që luhet nesër, Flamurtari – Luftëtari. Ndeshjet në këtë mesjavë janë luajtur në një mot të ftohtë dhe me fushat ku ndihej ndikimi i borës.
Kukësi 2-2 Skënderbeu
Të dyja skuadrat ‘’fitojnë’’ nga një pjesë dhe ndeshja mbyllet në një barazim të bukur. Në pjesën e parë është Kukësi që shënon dy herë. Fillimisht Elton Kale dhe Shkodra më vonë e dërgojnë skuadrën në pushim në avantazh të dyfishtë. Ndërsa në pjesën e dytë sulmuesi Soue merr Skënderbeun prej dore dhe me dy golat e tij mbyll ndeshjen në barazim. Kështu Skënderbeu ruan distancën nga Kukësi, i cili nuk ia del ta mbajë gjallë lojën e titullit.
Laçi 1-0 Vllaznia
Mjafton një gol i mesfushorit beratas Myrto Uzuni për të vendosur fatet e sfidës mes kurbinasve dhe shkodranëve. Ky ishte goli parë në këtë vit për Uzunin. Kjo fitore mban Laçin në lojë për garën europiane ndërsa Vllaznia humbet terren në luftën e mbijetesës.
Kamza 1-2 Teuta
Një fitore me peshë arrin Teuta në luftën për mbijetesë. Beqja dhe Latif me nga një gol në secilën pjesë i japin fitoren e parë Gentian Begesë në stolin e durrsakëve. Ndërsa goli i Raçiç nga pika e bardhë i vlen vetëm atij pasi ishte vonë për të ndryshuar fatet e ndeshjes.
Partizani 6-0 Lushnja
Kjo ditë ndeshjes është mbyllur me një fitore tenistike të Partizanit ndaj Lushnjes. Bardhi 2 herë, Belica, Progni, Kardozo dhe Ramadani kanë shënuar golat që kërkojnë të ringjallin Partizanin. Ndërsa Lushnja javë pas jave po mësohet me idenë se do të rikthehet andej nga erdhi.
Kategoria Superiore – Java 22
Laçi-Vllaznia 1-0
Shënues: Uzuni 44’
Kukësi-Skënderbeu 2-2
Shënues: Kale 20’, Shkodra 45’/Soue 63’, 69’
Kamza-Teuta 1-2
Shënues: Raçiç 92’ (pen.) / Beqja 15’, Latif 78’
Partizani-Lushnja 6-0
Shënues: Bardhi 28’, 34’, Belica 45+2’, Progni 57’, Kardozo 62’, Ramadani 84’



