Reforma zgjedhore, ka ngecur dhe palët nuk po bien dakord në njërën pikë, lidhur me administrimin e procesit zgjedhor.

Partia Socialiste duket se e ka pranuar propozimin e opozitës që komisionet të kenë këtë përbërje: një komisioner zgjedhor jopartiak, dy anëtarë- vëzhgues nga mazhoranca, dy anëtare – vëzhgues nga opozita.

Kjo tërheqje e socialistëve, e ka bërë ambasadoren Yuri Kim optimiste, e cila ka qenë gati të shpallë marrëveshjen, por diçka e ka bllokuar. Sipas portalit “Dosja”, ishte Kryemadhi që, megjithëse fizikisht e pamundur, shkoi tek zyra e aleatit, për të kërkuar një detaj, të përcaktohej që në dy anëtarët- vëzhgues të opozitës, njëri të jetë i LSI-së.

Kjo kërkesë nuk është pritur mirë nga Basha, i cili, pavarësisht konfirmimit të frontit opozitar, i druhet pozicionit të ardhshëm të LSI.

Deri në mbrëmje vonë, kur ambasadorja doli përpara mediave me marrëveshje në dorë, nuk arritën ta gjenin gjuhën. Oerd Bylykbashi nuk mund të kthehej në tryezë pa Petrit Vasilin, marrëveshja nuk nënshkruhej dot pa firmën e përfaqesuesit të LSI.

E gjithë kjo nuk përfshin sistemin zgjedhor. Deri tani nuk është mbajtur akoma qëndrim për këtë. Mund të mbetet si çështje e humbur për shkak të konsensusit të të mëdhenjve: “Kur zihen elefantët prishet bari”./ Dosja.al/ 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re