Skip to content

Kullat në kryeqytet/ “Rama po i jep Tiranës goditjen e fundit” – Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari: Kryeministrit i ka rënë mbështetja pas nisjes së protestave

mucollari rama

Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari ka reaguar lidhur me projektet e planifikuara në zonën e Tajvanit, duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama se po e trajton Tiranën si pronë private.

Në një reagim të tij, Muçollari shprehet se Rama ka ushtruar ndër vite “eksperimentet dhe trillet e tij” me Tiranën, qytet të cilin e ka drejtuar për tre mandate si kryetar bashkie.

Muçollari rendit një sërë problematikash që, sipas tij, kanë shoqëruar zhvillimin e kryeqytetit, duke përmendur betonizimin, mungesën e shkollave, inceneratorin e Tiranës, prishjen e Teatrit Kombëtar, trafikun dhe ndotjen e ajrit.

Sipas tij, situata politike në Tiranë ka ndryshuar pas nisjes së protestave të përditshme dhe mbështetja për Edi Ramën në kryeqytet “ka rënë”.
Por, sipas Muçollarit, pikërisht në këtë moment Rama po i jep Tiranës “goditjen e fundit”, përmes planeve për zhvillimin e zonës së Tajvanit.

Postimi i plotë
Edi Rama ka ushtruar gjithë eksperimentet e trillet e tij me Tiranën, e ka trajtuar si atelienë e tij personale, edhe pse ky qytet i ka dhënë shumë mbrapsht. Askujt sa Edi Ramës, 3 mandate në krye të bashkisë.

Dhe ka mbajtur në kurriz paudhësi e abuzime pa fund. Me kërdinë e betonit, me shkolla të munguara, me inceneratorin që nuk ekziston edhe pse paratë u dhanë, me teatrin e prishur në errësirë, me copa që i hiqen vazhdimisht e shndërrohen në kulla të pushtetit dhe trafikut të tij të influencës, me trafikun që vetëm rëndohet pa ofruar kurrë një zgjidhje, me ajrin e ndotur që bëhet edhe më mbytës nga viti në vit.

Edi Rama e ka marrë për të mirëqenë Tiranën dhe ka luajtur lojën e tij të rëndë të udhëheqjes, pa e vrarë mendjen për qytetarin, për banorin. I ka parë gjithnjë si vota që i takojnë atij.

Diçka ka ndryshuar në këto raporte. Sidomos pas nisjes së protestave të përditshme, raportet e Tiranës me Edi Ramën nuk janë të njëjtat. Kuotat e tij kanë rënë dhe ai e di këtë.

Por pikërisht në këtë atmosferë, i jep qytetit edhe goditjen e fundit, mu në zemër. Duke i marrë parkun dhe lulishten e fundit të mbetur, atë të Tajvanit, për ta shndërruar edhe atë në një truall biznesi shumë fitimprurës.

Oazin e mijëra familjeve që nxjerrin fëmijët aty, për shkak se nuk kanë më asnjë kënd apo lulishte në lagjet e tyre.

Por Edi Rama ka plane të tjera. Ka interesat e tij dhe të kastës që përfaqëson më të rëndësishme sesa interesat e qytetarëve.

Ai që mburrej se e kishte çliruar Parkun Rinia nga kioskat, ka vendosur ta pushtojë tani me gratacela gjigante, që, nëse do të realizohen, do ta tjetërsojnë totalisht si vend, si destinacion. Dhe do të zhbëhet kështu një tipar i ngelur i portretit dhe i identitetit të Tiranës.

Por tanimë pyetja nuk është se sa larg shkon Edi Rama me trajtimin e kryeqytetit si pronën e tij private. Pyetja është: A do ta lejojë Tirana edhe këtë pabesi të fundit të Edi Ramës? A do ta pranojnë qytetarët e lokomotivës sonë intelektuale dhe europiane edhe trillin e fundit të gangsterit në pushtet, a do të ulin sërish kokën, apo do të qëndrojnë, do të përballen e do t’i vendosin atij një kufi që me kohë e ka merituar?

Kjo ngelet për t’u parë. Reagimi në rrjet ka qenë masiv. Por do të shohim sa do të jetë rezistenca në realitet, në terren. Nëse Tirana e lejon edhe këtë poshtërim, atëherë vështirë ta meritojë të quhet kryeqytet. Më saktë do të ishte të emërtohej: stani i beut të Surrelit.