Ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare studiuesi dhe shkrimtari i njohur beratas, prof. Agim Mehqemeja.

Lajmin e ka bërë të ditur në profilin e tij në rrjetin social facebook, gazetari Namir Lapardhaja.

Më poshtë postimi i plotë i Lapardhasë:

Sot në Berat ndërroi jetë prof. Agim Mehqemeja, një ndër personalitetet kulturore të rralla të qytetit të Beratit.

Prof. Agimi ishte mësues, metodist, gazetar, kryeredaktor gazete, studiues, poet, shkrimtar dhe gjithë jetën e tij ia përkushtoi punës së palodhur për nxjerrjen në pah të vlerave kulturore, njerëzore dhe shpirtërore jo vetëm të qytetit, por edhe më gjerë.

Karakterizohej nga një skrupulozitet i admirueshëm, metodikë e saktë dhe nga një përgjegjshmëri e lartë intelektuale. Pavarësisht moshës së thyer dhe problemeve shëndetësore, ai nuk hoqi dorë deri në fund nga puna e palodhur dhe angazhimi në studimet e vlerave të traditës dhe të kulturës beratase, duke qenë një model i vlefshëm dhe i rrallë për brezat e rinj.

Një qytetar i vërtetë, model i qytetarit të angazhuar dhe intelektualit me vlera të larta njerëzore dhe shpirtërore. Humbjet e tilla pakësojnë përherë edhe më shumë pasurinë shpirëtore të qytetit, duke e tkurrur të mirën, dijen, vlerat, kulturën…

Le të prehet në paqe prof. Agimi, ngase vepra e tij do të ngelet dhe do të jetojë edhe pas këtij largimi të tij trupor…

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re