Njëkohësisht me Planin e Pastrimit Kombëtar, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro njoftoi se do të nisë një Plan Riciklimi duke filluar nga sektori arsimor.

Në një takim me Konferencën e Rektorëve së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe Ministren për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi, Kumbaro kërkoi bashkëpunimin e drejtuesve të universiteteve për të nisur procesin e riciklimit të letrës që përdoret çdo ditë në këto institucione.

“Jo pa qëllim duam ta nisim nga sektori arsimor sepse është forma më e mirë për të edukuar dhe për të nisur ndryshimin e sjelljes së shoqërisë. Nuk mjafton të pastrojmë hapësirat fizike të territorit nëse s’edukojmë hapësirën brenda kokës sonë dhe kjo fillohet pikërisht nga bankat e shkollës. Në këto dy muaj të detyrës si Ministre e Mjedisit kam vizituar të gjitha landfillet e Shqipërisë dhe një pjesë të madhe të depozitimeve të jashtëligjshme, që po punojmë t’i mbyllim ose t’i rehabilitojmë.

Është një situatë e rëndë. Nëse nuk punojmë për të ulur volumin e mbetjeve, do të jemi realisht përpara një emergjence kombëtare për mbetjet. Sektori më i parë që duhet ta fillojë këtë është arsimi, edhe sepse kemi kontigjentin e shoqërisë që duhet edukuar e më pas janë ata që ndikojnë te prindërit, te familjet e tyre”, është shprehur ministrja Mirela Kumbaro.

Ajo lajmëroi se ky plan do të shtrihet po ashtu në administratën shtetërore, ndërsa plani po koordinohet edhe me shoqatën e ricikluesve për të vendosur në dispozicion të universiteteve infrastrukturën e nevojshme.

“Nëse ka diçka që e prodhojmë me shumicë në institucionet arsimore është letra. Jemi konsumatorë letre, e kush më shumë se shkollat, universitetet dhe administrata. Nëse letra shkon në landfill, nuk është më e riciklueshme sepse ndotet, prandaj duhet ndarë në burim. Unë jam e gatshme të vij në çdo universitet e të diskutoj me kolegët dhe studentët, që çdo fakultet të krijojë hapësirat për të mbledhur letrat e ditës dhe letrat e javës”, ka thënë Kumbaro gjatë takimit.

Ministrja e Mjedisit shtoi se ky angazhim është në kuadër të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve, të strategjisë kombëtare të mbetjeve dhe masterplanit të miratuar në vitin 2021, ku përcaktohen seleksionimi i mbetjeve, riciklimi dhe trajtimi nga koshi deri te pika fundore.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi njoftoi se po bëhen përgatitjet që shumë shpejt kjo nismë të fillojë në mënyrë kapilare në shkolla, ndërsa do të shoqërohet edhe me një plan ndërgjegjësimi dhe komunikimi përmes aktiviteteve në koordinim me Ministrinë për Rininë dhe Fëmijët.

Rektorët e universiteteve mirëpritën nismën, duke shprehur gadishmërinë që në ambientet e fakulteteve të vendosen venddepozitimet përkatëse për mbledhjen e letrës, si edhe të bëhet organizimi i stafit me qëllim seleksionimin e letrës që duhet dërguar për riciklim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re