Viti 2024 do të jetë provë për qeverinë jo vetëm për të tejkaluar shifrën prej 10.1 milionë turistësh që vizituan Shqipërinë gjatë 2023, por edhe për të arritur turizmin elitar.

“2024 do jetë prova e zjarrit që mos na kthehet në boomerang ndaj kërkojmë turizmin elitar, që të kërkojmë vlera. Sigurisht ne nuk mund të dalim e të themi ti je turist masiv e s do futesh. Duhet të rrisim ne standardet, shërbimet. Një turist elitar që vjen harxhon shumë para e kërkon. Jemi në komunikim të vazhdueshëm që mos na krijohet asnjë gropë në zinxhirin e zhvillimit. Këto janë masa që ne marrim për një turizëm të qëndrueshëm, do ketë incidente, por rëndësi ka mos jenë fenomene, të mbeten episode të izoluara.”, tha ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

Me më shumë turistë elitarë që vijnë, sipas ministres Mirela Kumbaro, edhe ekonomia shqiptare do të përfitojë më shumë, duke tejkaluar pse jo shifrën prej 3.2 mld eurosh të hyra në ekonomi gjatë 9 muajve të 2023 falë turizmit.

“3.2 milionë euro duke iu referuar Bankës së Shqipërisë, janë para të hyra në territor dhe pa bërë një aritmetikë, janë para që janë injektuar në ekonominë e Shqipërisë sepse turistët blejnë nëpër dyqane, paguajnë në restorante, paguajnë hotelet, taksitë apo makina me qira, gama e harxhimit të këtyre parave është brenda sektorit të ekonomisë.”, shtoi Kumbaro.

Duke bërë bilancet, ministrja Kumbaro tha se ndryshe nga vitet e shkuara, gjatë 2023 turistët që njohën rritjen më të madhe ishin ata nga Spanja, të tërhequr edhe falë brandit spanjoll “Melia”, të ndërtuar nga grupi “Concord Investment” në Durrës.

“Turistët spanjollë nuk kanë qenë turistë tipikë ose kanë qenë krejtësisht të rrallë deri para dy vitesh për Shqiopërinë. Nuk bënin pjesë në hartën e gjeografisë që frekuentonte Shqipërinë. Kemi një rritje me vitin e kaluar prej 92% të vizitorëve, kjo lidhet padyshim me përshtypjet e mira që turistët e parë spanjollë kanë pasur, por edhe me faktin që investiorë të rëndësishëm si “Melia Group”, janë tashmë prezentë në Shqipëri.”, u shpreh Kumbaro.

Sfidë për vitin aktual për Ministrinë e Turizmit mbetet edhe formalizimi i vendqëndrimeve dhe për taksat që duhet të paguhen për të ardhurat e gjeneruara nga qiratë ditore në platformat “Booking” dhe “AirBnB”./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re