Shqipëria ka hedhur një hap të madh drejt ëndrrës së për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026, pasi ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në fazën play-off.
Fitorja ndaj Andorrës vulosi vendin e dytë në grup dhe i dha kuqezinjve mundësinë për të luftuar në mars për biletën historike drejt finaleve.
Ndeshjet e play-off-it do të luhen me eliminim direkt, në një takim të vetëm, çka e rrit peshën dhe tensionin e çdo minute. Shqipëria mund të përballet me ekipe të forta europiane si Polonia, Republika Çeke, Sllovakia ose Italia, ndonëse renditja përfundimtare mund të sjellë ndryshime në çiftimet finale.
Përveç aspektit sportiv, kualifikimi do të ishte një bum edhe për arkën e Federatës Shqiptare të Futbollit. Vetë pjesëmarrja në Botëror vlerësohet të sjellë rreth 9 milionë euro, ndërsa bonuse të tjera shtohen në varësi të rezultateve në fazën finale.
Aktualisht, faza e grupeve dhe vetë play-off-i nuk ofrojnë shpërblime financiare. Botërori 2026 do të jetë i pari me 48 kombëtare, duke rritur shanset, por edhe konkurrencën.
Kuqezinjtë mbeten të përqendruar te sfidat e muajit mars, me objektivin e qartë: dy fitore për të shkruar historinë dhe për të dërguar Shqipërinë për herë të parë në finalet e Kupës së Botës.
