Nën presionin të shtojë përpjekjet e ndihmës për Porto Rikon e shkatërruar nga uragani “Maria”, presidenti Donald Trump ia kushtoi fitoren e “Kupës së presidentëve” në turneun e golfit, ishullit të goditur keqas nga stuhija.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë, një i apasionuar i hershëm pas kësaj loje dhe pronar i disa fushave të golfit në pjesë të ndryshme të botës, ndaloi shkurtimisht në “Liberty National”, ku ia dedikoi triumfin banorëve të Porto Rikos, Teksasit e Floridës, që u prekën nga furia e motit, ndërsa i dorëzonte trofenë Steve Strickerit.
“Në emër të të gjithë njerëzve të Teksasit, nëse e sheh sot, shikon çfarë ndodhi, sa e tmerrshme ishte, por ne e kemi nën kontroll. Në emër të banorëve të Porto Rikos e atyre të Floridës, që po vuajnë vërtet shumë pas kësaj periudhe të shkurtër e të mbushur me uraganë”, tha Trump.
Gjesti i presidentit erdhi në të njëjtën ditë, kur një grup ligjvënësish amerikanë e nxitën të mos i lërë më në pritje zyrtarët e Porto Rikos, por të hidhet në veprim për t’i ndihmuar të rimëkëmben, në vazhdën e shkatërrimit të lënë pas nga uragani “Maria”.
Gati një javë e gjysmë nga kalimi i stuhisë, gjysma e vendasve në Porto Riko nuk kanë ende ujë të pijshëm, ndërsa problemet me energjinë elektrike mbeten të mëdha. Ditë më parë, radhë të gjata ishin krijuar nëpër bankomate, ku njerëzit shpresonin të tërhiqnin paratë e tyre përpara se gjeneratorët e bankave të reshtnin së punuari./t.ch./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re