Lëvizja për Universitetin do të dalë në aksion simbolik para kryeministrisë ditën e nesërme në orën 11:00 për shkak të vendimit për mësimin online në këtë vit të ri akademik. Në një kohë të vështirë kur pjesa më e madhe e studentëve nuk kanë pajisje për të siguruar mësim online dhe të tjerë kanë mbetur të papunë, Lëvizja për Universitetin kërkon nga kryeministri përgjysmim të tarifës vjetore të studimit, dhe një paketë sociale për qiratë, internetin, librat dhe kostot e jetesës.

Në rast se nuk realizohen, paralajmërojnë se do të shkojnë me valixhe, rroba, këpucë, libra dhe tenxhere në kryeministri. Ndërsa të tjerë kanë njoftuar se do të mbajnë protestë kombëtare para Ministrisë së Shëndetësisë që së bashku me Komitetin e Ekspertëve mori vendimin për mbylljen e Universiteteve vetëm disa ditë para fillimit të vitit të ri.

Reagimi i plotë:

Që prej karantinës së muajit mars studentët kanë qenë një nga shtresat më të dëmtuara të shoqërisë. Po qeveria nuk ka menduar asnjë çast për ta. Mijëra studentë e patën të pamundur ta ndiqnin normalisht procesin mësimor online si pasojë e mungesës së mjeteve teknike dhe aksesit në internet. Mijëra të tjerë mbetën të papunë. Shumë mbetën të pastrehë në pamundësi për të punuar dhe paguar qiratë.

Nëntë muaj më vonë, e njëjta situatë rrezikon të përsëritet. Mësimi online vazhdon të jetë i pamundur për shumicën e studentëve, qiratë janë rritur, kostot e jetesës po ashtu, karta studentore nuk funksionon, abone nuk ka, shërbime sociale e shkollore jo e jo. Ndërkohë qeveria në vend që të lehtësojë barrën e studentëve, i mban të larta tarifat e studimit dhe jep urdhër që konviktet të boshatisen nga studentët.

Prandaj ne kemi ardhur këtu, përpara kryeministrisë, për të kërkuar:

Përgjysmim të tarifës vjetore të studimit, dhe
Një paketë sociale për qiratë, internetin, librat dhe kostot e jetesës.

Në të kundërt, në kushtet e keqshkollimit dhe papunësisë, mungesës së strehimit dhe parave, do të vijmë me mijëra studentë të tjerë, bashkë me valixhe, rroba, këpucë, libra dhe tenxhere në kryeministri.

Nëse kryeministria vazhdon të mbetet shtëpi e oligarkëve në kohë krize, ne do ta kthejmë në vatër të studentëve, punëtorëve, pensionistëve dhe qytetarëve të prekur nga pandemia.

Kupa është mbushur dhe nuk mban më. #PërUniversitetin  #PërShoqërinë

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re