Edhe pse duhen më shumë sesa 3 muaj për ndeshjen gjysmëfinale të “Play Off”-it të Botërorit kundër Polonisë, shqiptarët kanë nisur të bëjnë llogaritë përballë një rivali të fortë në letër.
Pavarësisht se mbetet një sfidë shumë e vështirë dhe për më tepër që do të luhet në transfertë, ka arsye që i bëjnë kuqezinjtë të besojnë. Një prej tyre lidhet me numrin e golave të shënuar nga futbollistët e Kombëtares me skuadrat e tyre në këtë sezon.
12 futbollistë që kanë qenë prezent në listën e fundit të kuqezinjve kanë shënuar me ekipet në Europë dhe jo vetëm për një total 54 gola, një më shumë sesa lojtarët e Polonisë që kanë shënuar 53 gola, pavarësisht se këta të fundit kanë 15 goleadorë.
Mirlind Daku është bomberi i Shqipërisë, teksa me Rubin Kazanin ka tundur rrjetën 10 herë.
Myrto Uzuni është i dyti me 9 gola, ndërsa në podium është Jasir Asani me 8 gola të realizuar.
Përmirësim ka pasur në javët e fundit Arbër Hoxha që ka arritur në kuotën e 6 golave sezonalë. Pa harruar edhe Ernest Muçin në Turqi me 5 gola në 3 ndeshjet e fundit.
Në radhët e rivalëve, Lewandowski vazhdon të mbajë peshën kryesore me 8 gola të shënuar me Barcelonën.
Ndeshja Play Off Poloni-Shqipëri luhet më 26 mars 2026 në stadiumin “PGE Narodowy” të Varshavës.
Nëse kalojmë polakët në finale do të përballemi me fituesen e çiftit Ukrainë – Suedi.
LEXO EDHE: “Botërori 2026″/ Shqipëria në grupin e “mallkuar”, ekipet e shortuara aty nuk e kanë fituar kurrë trofeun