Tirane.04.03.91.- Pjesemarresit ne diten e perurimit te Kishes Katolike.ATSH.FotoG.Xhengo[/caption]

 

Zbulohet një foto e rrallë e vitit 1991 ku lideri i Lëvizjes së Dhjetorit Gramoz Pashko dhe Spartak Ngjela janë nën shoqërinë e aktorit të famshëm të kinematografisë shqiptare, Ndrek Luca dhe disa miqve të tyre. Çfarë e lidhte Ngjelën me aktorin e madh dhe si shprehej Pashko për avokatin në dhjetorin e vitit 1990 kur ai ende nuk ishte liruar nga burgjet e regjimit komunist…?!

Shumkush nga ne aktorin e madh të skenës dhe ekranit të ndjerin Ndrek Luca do ta kishte përfytyruar si imazh nën shoqërinë e kolegëve dhe miqve të tij të komunitetit të artistëve dhe shkrimtarëve me të cilët kaloi një jetë të tërë në oborrin e Teatrit Popullor, Lidhjen e Shkrimtarëve, në sheshet e xhirimit, apo dhe në lagunat e bregdetit shqiptar ku shkonte shpesh për peshkim, të cilin pas skenës e kishte një nga pasionet dhe dashuritë më të mëdha. Dhe pak kush do ta përfytyronte mjeshtrin e madh dhe të papërsëritshëm të kinematografisë shqiptare, Ndrek Luca, nën shoqërinë e politikanëve (kuptohet të pas viteve ’90-të) edhe pse ai që në dhjetorin e vitit 1990 mbështeti hapur dhe pa rezerva Lëvizjen Studentore dhe proceset demokratike që çuan në ndryshimin e sistemit.

Por një foto e rrallë e cila duhet të jetë e vitit 1991, na e paraqet Ndrek Lucën në shoqërinë e Gramoz Pashkos dhe avokat Spartak Ngjelës si dhe disa miqve të tyre të përbashkët duke biseduar me njëri tjetrin para një objekti kulti diku në Rrugën e Kavajës që sapo ishin hapur asokohe. Ndryshe nga temperamenti i tij, Ngjela qëndron i heshtur dhe me cigaren në dorë duke dëgjuar një bashkëbisedim mes atyre miqve që janë mbledhur rreth tyre, ndërsa Pashko dhe Ndrek Luca janë të përqëndruar dhe ndjekin me vëmëndje në bisedë një person tjetër që është pjesë e atij grupi. Po ndërsa me Gramoz Pashkon e bashkonin idealet e dhjetorit, pak kush mund ta dijë me saktësi se çfarë e lidhte Ndrek Lucën me Spartak Ngjelën që asokohe sapo kishte dalë nga burgjet e regjimit komunist?!

Të gjithë ata që e kanë njohur nga afër aktorin e famshëm me origjinë nga Dukagjini, e dinë dhe kujtojnë fare mirë adhurimin e veçantë që Ndreka kishte për poetin e madh Padër Gjergj Fishta, veprën e të cilit pothuaj ai i kishte lexuar të gjithën dhe vargje të tëra nga “Lahuta”, “Juda Makabe”, “Anzat e Parnasit” etj., etj., ai i recitonte mes miqsh të ngushtë edhe para viteve ’90-të, kur ajo gjë përbënte një herezi. Nisur edhe nga ky fakt, Ndrek Luca iu bashkua një grupi intelektualësh të rinj krijues, si Aurel Plasari, Rudolf Marku, Skënder Buçpapaj etj, të cilët më 28 dhjetor 1990 u mblodhën në një nga sallat e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ku mbajtën një mbledhje përkujtimore me rastin e 50 vjetorit të vdekjes së Padër Gjergjit dhe në një farë mënyre ajo ishte dhe shpallja dhe rehabilitimi i figures së tij.

Pra në një farë mënyre Ndreka ishte dhe u bë promotori rehabilitimit dhe ndriçimit të figurës së Poetit Kombëtar që aq shumë ishte anatemuar nga regjimi komunist dhe personalisht nga Enver Hoxha pothuaj për gjysëm shekulli me rradhë. Po kështu edhe avokat Ngjela, që në rininë e tij ende pa u arrestuar dhe u dënuar nga regjimi komunist, ka pasur një adhurim të veçantë për Padër Gjergjin, jo vetëm si poet e letrar, por edhe si politikan dhe për gjithçka tjetër ai kishte bërë në jetën e tij për Shqipërinë dhe gjithashtu ai (Ngjela), ishte një njohës i mirë i jetës dhe veprës së Padër Gjergjit.

Jo vetëm kaq, por deri në atë kohë që u arrestua, në shenjë adhurimi, Ngjela kishte vizituar disa nga kishat dhe objektet e kultit ku Padër Gjergji kishte shërbyer apo kishte vizituar gjatë jetës së tij. Kështu pak orë para arrestimit në vitin 1975, Ngjela sapo kishte vizituar krejt i vetëm kishën e Rubigut (rrethi i Mirditës) ku Padër Gjergji kishte qenë shpesh dhe e vlersonte shumë edhe për anën arkitekturore tepër të veçantë. Ishte ky adhurim i madh ndaj figurës dhe veprës së Fishtës që e detyroi Ngjelën në vitin 1987 që t’i drejtohej nga burgu i Burrelit me disa letra Ramiz Alisë (si Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor), ku i kërkonte rehabilimitin e figurës së Gjergj Fishtës, duke e konsideruar atë ndër të tjera dhe si një armik të madh të sllavizmit që regjimi komunist e kishte dënuar që në vitin 1946 pikërisht për këtë arsye.

Pra me shumë gjasa Ndrek Lucën dhe Spartak Ngjelën i ka ribashkuar adhurimi që ata kishin për Padër Gjergjin, (pasi Ngjela ka pasur njohje dhe miqësi me Ndrekën që para arrestimit të tij) dhe njeriu që i ka bashkua përsëri, ka qenë Gramoz Pashko, i cili që në ditët e para të Lëvizjës së Dhjetorit 1990, nuk linte rast pa folur tek gjithë miqtë e tij, krerët e Partisë Demokratike, (si: Berisha, Meksi, Ruli, Zogaj, etj), dhe duke promovuar “një politikan ekselent dhe antikomunist i thekur” që gjendej ende në burgjet e regjimit komunist që nga viti 1975. Sidoqoftë rreth kësaj dhe sa më sipër mund të flasë vetë Ngjela jo vetëm për aktorin e famshëm Ndrek Luca, por edhe për ish-mikun e tij të ngushtë, Gramoz Pashkon, i cili plot 13 vjetë më parë (16 korrik 2006) u nda nga jeta në mënyrë tragjike.

 

Per gazeten Tema; Dashnor Kaloçi

 

&nbsp

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re