Ambasadori rus në Tiranë, Mihail Afanasiev, ishte i pari që foli për zgjedhjet e 25 prillit, madje një javë para ambasadores Yuri Kim.

Megjithatë, panelistët pranë opozitës, të cilët ngritën një furtunë të fortë për qëndrimet e ambasadores amerikane Yuri Kim, nuk shkruan asnjë rresht për të dërguarin e Vladimir Putinit në Tiranë.

Qëndrimi i ambasadorit Afanasiev ishte korrekt, si një diplomat profesionist, i cili bëri të ditur se shpresonte se një “qeveri e re”, do të ridimensiononte marrëdhëniet me Rusinë.

“Shpresojmë që pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të datës 25 prill dhe formimit të Qeverisë së re të Shqipërisë, autoritetet e vendit do të kenë mundësinë të trajtojnë temën e komisionit ndërqeveritar, dhe më pas të mund të kthehemi së bashku në tryezën e bisedimeve dhe të diskutojmë të gjitha çështjet e ngutshme të bashkëpunimit tonë.

Ne nuk i diktojmë askujt si të jetojë dhe nuk japim këshilla, nëse nuk na kërkohet”, tha ai.

Qëndrimi i ambasadorit rus ishte korrekt, por krahasuar me atë të ambasadores amerikane, ishte pak më i avancuar, pasi flet për një “qeveri të re”.

Që megjithatë është brenda hapësirës së interpretimit.

Avokat Ngjela, si skeptik ndaj Moskës dhe perëndimorist i deklaruar e shikon këttë deklaratë si “shqetësuese”.

Por të tjerët, ata që zihen me avokatin në panel, e që janë kryesisht përkrahësit e LSI-së apo edhe PD-së, nuk kanë dhënë një qëndrim për këtë deklaratë.

Ndërkohë që ambasadorja amerikane,  jo vetëm dha intervistën, por disa herë shkroi për të sqaruar e kundërshtuar keqintepretimet ndaj saj.

Ambasadori rus fajësoi SHBA se po ndikon që Shqipëria të ketë marrëdhënie të këqija me Moskën.

“Arsyet e rënies së nivelit të marrëdhënieve tona më duken disi artificiale.

Me sa duket, ky është një nga elementët e luftës politike që po zhvillohet jo vetëm midis forcave politike në vetë Shqipëri, por edhe në rajon në tërësi, në të cilin lojtarë të ndryshëm të jashtëm garojnë për të ushtruar ndikim.

Shembuj të gjallë, përfshirë ato të vendeve fqinje, tregojnë se kjo gjendje e bashkëpunimit tonë dypalësh nuk është normale”, tha ambasadori Afanasiev para pak ditësh.

Në fakt, ky është një qëndrim brenda kornizës së një deklarate që mund të bëjë një diplomat që përfaqëson një vend të caktuar, sidomos kur bëhet fjalë për shtete të fuqishme.

Keqintepretimi i këtyre deklaratave, përveç një efekti momental klikimesh, vetëm mund të prishë punë për atë panelist që e bën këtë.

Siç ndodhi me ambasadoren amerikane, ku përgënjeshtrimi zgjati më shumë si histori, sesa fake nevvs mbi deklaratën e saj…

TemA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re