Kur hynë forcat gjermane në Berat në Nëntor 1943, pothuajse të gjitha familjet nuk u larguan sepse ndiheshin të sigurta në shtëpitë beratase, asnjë fjalë nuk u nxorr prej tyre. Ishin shqiptarë dhe shqiptari nuk e jep mikun që i ka ardhur në shtëpi dhe i kërkon mbrojtje, besim nder, miqësi. Berati ishte mbushur plot me gjermanë. Gjatë 10 muajve që ata qëndruan në qytetin 3 000 vjeçar asnjë hebre nuk u zbulua e nuk u prek.

Më 12 shtator 1944 forcat gjermane u larguan nga Berati dhe u dislokuan në fushën e aviacionit në Urën e Hasan Beut në Kuçovë. Prej këtej forcat gjermane rrahën me artileri për gjysmë ore Beratin. Duke menduar se zjarri artilerisë ishte përgatitje për një sulm të forcave të këmbësorisë në qytet, qytetarët në panik lanë qytetin dhe u drejtuan për nga periferia dhe më thellë për tu mbrojtur.

Isuf Qolja me familjen e vet shkoi tek një mik në fshatin Tozhar. Qani Çiveja me familjen e tij shkoi në Palikësht. Të dy këta beratas fisnikë nuk i braktisën familjet ebreje që kishin në shtëpitë e tyre. I muarën me vete ato dhe i kthyen bashkë pas një muaji kur forcat gjermane ikën nga Kuçova dhe Ura e Hasan Beut më 18 tetor 1944 duke hedhur në erë këtë të fundit pasi e kapërcyen.

Edhe familje të tjera beratase nuk i braktisën ebrejtë që kishin strehuar. Familjet ebreje u dalluan për urtësinë, korrektësinë dhe ndershmërinë. Punuan me djersë. Dikush shiste ndonjë metrazh që kish sjellë të tjerë si ambulantë shisnin prodhime sheqeri, një tjetër punonte farmacist. Gratë qepnin jorganë dhe merrnin porosi për punë dorë që i bënin aq bukur. Një ebre tjetër shiste karrige të një cep i Pazarit të Misirit.

Ja ç’tregon LLukan Gjika:

Kur erdhën familjet çifute në Berat gjatë luftës disa nga kryefamiljarët u muarën dhe me aktivitetin për të luftuar e fituar në jetë. Njëri nga këta kishte ndërmend të hapte një gjelltore. Para se ta bënte një gjë të tillë u njoh me furxhinë e lagjes tonë, qëndroi disa ditë në furrin e tij duke vërejtur se çfarë sillnin banorët e lagjes për të pjekur. Më në fund çifuti ndryshoi mendim. I tha furrxhiut se nuk e hapte gjelltoren, sepse në Berat punoka tava e mrekullueshme familjare dhe nuk do të kemi myshterinj!

Familjet ebreje ikën nga Berati pas çlirimit të vendit në fillim të vitit 1945. Mbyllja e Shqipërisë nga diktatori Enver Hoxha, nuk i lejoi familjet beratase të merrnin vesh për fatin e mëtejshëm të familjeve ebreje që u larguan.
Në Muzeun e Olokaustit në Izrael mbi faqen e një guri të madh janë gdhendur dhe emrat e 20 familjeve shqiptare prej tyre 14 familje janë nga Berati, që kanë strehuar familjet izraelite gjatë Luftës II-të Botërore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re