Përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, tregojnë se brenda Partisë Socialiste nuk ka vetëm përplasje idesh, por edhe një konflikt për pushtet. Kështu u shpreh anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari në emisionin “Minuta e Parë” në News24, në një bisedë me moderatoren Ola Bruko.
Duke komentuar akuzat dhe përplasjet mes dy figurave të larta të PS-së, Muçollari deklaroi se zhvillimet e fundit nuk e habisin, pasi sipas tij, presioni politik dhe institucional është ushtruar më parë edhe ndaj qytetarëve dhe ish-drejtuesve të opozitës.
Ai argumentoi se përplasjet brenda mazhorancës po bëhen gjithnjë e më të dukshme, ndërsa kritikoi mënyrën se si, sipas tij, po përdoren kontrollet dhe presioni ndaj Veliajt në kuadër të konfliktit politik.
“Nuk më bën asgjë më çudi. Ka përplasje mes kryetarit të Bashkisë dhe kryeministrit. Brenda PS-së ka përplasje jo vetëm idesh, por edhe përplasje për pushtet. Këtë e shohim gjithnjë e më shumë të ekspozuar. Sa i takon lojërave politike që po bëhen, kontrolleve dhe presionit ndaj Veliajt, nuk ka asgjë për t’u çuditur. Kjo ka ndodhur me mijëra qytetarë dhe me ish-drejtues të opozitës, dhe tani po ndodh edhe brenda PS-së. Por kur del kundër të parit të vendit, do të kesh të njëjtin fat. Ky është rezultat i monopolizimit të institucioneve të pavarura.
Situata sot duhet të fokusohet te problemet kryesore që ka vendi. Nuk ka më asgjë që na çudit në këtë uzurpim të institucioneve nga qeveria. Zgjidhja duhet të vijë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, që mund të arrihen përmes dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama.”, tha ai.
