Marrëveshja për lirinë e lëvizjes me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor do të hyjë në fuqi pas kalimit të procedurës së ratifikimit në parlamentet shtetërore të të gjashtë vendeve të rajonit, e cila duhet të ndodhë në vitin 2023, tha Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal(RCC), Majlinda Bregu.

Më 21 tetor, ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë ranë dakord për tre marrëveshje mobiliteti të koordinuara nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në kuadër të procesit të Berlinit, ndër të cilat kryesore marrëveshje për lëvizjen me kartë identiteti.

Tre marrëveshjet – për lirinë e lëvizjes me kartë identiteti, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale për mjekët dhe arkitektët – pritet të nënshkruhen në një samit më 3 nëntor në kryeqytetin gjerman.

Liberalizimi i vizave ndërmjet Bosnjes dhe Kosovës

Harmonizimit të versionit të dokumentit i kanë paraprirë gati dy vjet negociata intensive dhe siç është paralajmëruar, kjo marrëveshje shemb edhe “murin e vizave” të fundit në rajon.

“Një mur është ndarja, që është e kundërta e bashkëpunimit. Rrëzimi i murit të fundit të regjimit të vizave në Ballkanin Perëndimor do të thotë shumë për qytetarët. Sepse heqja e vizave sjell me vete avantazhe, më së shumti në dy nivele. Në radhë të parë, do të thotë bashkëpunim më i mirë ekonomik dhe politik dhe përmirëson kontaktet mes njerëzve”, tha znj. Bregu.

Një nga marrëveshjet që do të nënshkruhen përfshin një për lëvizjen e lirë me karta identiteti dhe heqjen e regjimit ekzistues të vizave ndërmjet Bosnjës dhe Kosovës.

Përveç Serbisë, Bosnja është i vetmi vend në rajon që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe i vetmi vend në rajon që ka regjim të vizave me Kosovën. Në vitin 2014, Kosova vendosi masa reciproke të regjimit të vizave për Bosnjën, pasi ky vend nuk i hoqi vizat për qytetarët e Kosovës. Këto masa krijuan probleme të mëdha për qytetarët e dy vendeve dhe pamundësuan lëvizjen e lirë.

Bosnja ka lëshuar 107 viza për qytetarët e Kosovës vitin e kaluar, ndërsa numri i kërkesave të refuzuara ka qenë dy herë më i madh (283), tha Bregu.

“Fatkeqësisht, për shkak të këtij muri të madh dhe regjimit të vizave në rajon, numri i aplikimeve nga qytetarët kosovarë që dëshironin të vizitonin Bosnjën, apo të takonin miqtë e tyre atje, ka rënë në mënyrë drastike për shkak të vizave. Në vitin 2018, pothuajse 1500 qytetarët kosovarë kanë aplikuar për vizë për në Bosnje, ndërsa vitin e kaluar ky numër ka rënë në rreth 400”, tha Bregu.

Sipas Bregut, ky është një shembull i mjaftueshëm për të shpjeguar pse heqja e barrierave të vizave në rajon është shumë e rëndësishme për të përmirësuar lidhjen në rajon, për të thelluar integrimin ekonomik dhe për të rritur kontaktet mes njerëzve.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re