Prej mëse 25 vitesh jetonte në Itali. Ishte avokat dhe në jo pak raste kishte ndihmuar shqiptarët në nevojë atje. Pak ditë më parë 49 vjeçari shqiptar Aineo Redo u gjet i pajetë. Ende mbetet e paqartë sesi ka ndodhur ngjarja, ndërsa në qafën e shqiptarit kishte një plagë që besohet se i ka marrë jetën. Në dorë avokati shqiptar mbante një thikë, por hetuesit ende nuk e dinë nëse është vendosur nga autori i krimit apo nëse kemi të bëjmë me një vetëflijim.

Media italiane i ka kushtuar vëmendje kësaj ngjarje, si dhe ka pyetur kolegët e tij. Avokati italian Mario di Frenna, koleg me shqiptarin me origjinë nga Bulqiza, tregoi se së bashku me një tjetër koleg, ndanin një zyrë që prej vitit 2007.

“Aineo ishte i jashtëzakonshëm. Ai ishte një shembull i shkëlqyer për të gjithë ne. Ai ishte gjithashtu një mik për të ndarë pasionet me të, si futbolli, në ekipin e avokatëve ‘Duralex’ të Reggio-s. E kam parë Aineon për herë të fundit mbrëmë (e mërkurë). U përshëndetëm në orën 23.30. Ai më tha: Shihemi nesër në zyrë. Por në orën 10.50, kur mbërrita, ai nuk ishte. Pastaj më thirrën karabinierët…

Aineo ishte i dashur nga të gjithë, i vlerësuar nga klientët dhe nga komuniteti shqiptar që ndihmoi shumë. Ai ishte një avokat i zgjuar, i ndershëm dhe i dashur, ndihmues dhe gazmor. Ai nisi çdo gjë nga e para këtu pasi erdhi nga Shqipëria. Ndërtoi me sakrifica një rrugë të shkëlqyer në karrierë.”-tregoi avokati italian për median.

Redon e priti në Itali xhaxhai në vitet ’90. Kishte shkuar me gomone si shumë shqiptarë e me vete kishte patur veçse rrobat e trupit e pasaportën. Avokati kishte punuar si bukëpjekës, punëtor fabrike e njëkohësisht ishte shkolluar. Një tjetër koleg italian i shqiptarit, tregoi për median me lot në sy.

“Ai ishte njeriu më i mirë në botë…i thamë mirupafshim, duke premtuar se do të shiheshim të nesërmen për xhiron e zakonshme në komisariat apo në prefekturë. Nuk e besoj dot…”

“E njihja si një person të mirë dhe të zellshëm. Ai kishte kryer punë të përulura, duke arritur qëllimin për t’u diplomuar në Drejtësi me përkushtim dhe sakrificë të madhe. Ai kishte shkëlqyer, ka kaluar provimin e shtetit dhe e ka kryer profesionin me kompetencë dhe pasion. Më vjen shumë keq.”-tregoi Enrico Della Capanna, kryetar i Dhomës së Avokatëve në Reggio.

Burimi: Il resto del Carlino

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re