Nga Blendi Gashi

Si edhe në vitet paraprake shkelje të shumta ligjore ka gjetur Auditi në Ministrinë e Punëve të Brendshme që në qeverinë “Haradinaj” drejtohet nga Abelard Tahiri dhe në polici që drejtohet nga Naim Rexha që aktualisht mban pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit.

Gjetjet janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga realizimi i dobët i buxhetit, plotësimi i pozitave me ushtrues detyre, ushtrimi i pozitave të punës në mospërputhje me gradat e fituara, vonesë në realizim të projekteve, vonesa për të servisuar veturat por jo vetëm.

Sipas Auditit realizimi i buxhetit për investimet kapitale mbetet sfida kryesore me të cilën përballen MPB dhe PK, pasi nga 52 projekte kapitale kanë qenë të planifikuara, vetëm në 37 kanë ndodhur shpenzime.

Auditi tërheq vërejtjen se ekzekutimi i dobët i buxhetit për investimet kapitale rezulton me shfrytëzim joefikas të burimeve në dispozicion, si dhe redukton efektivitetin e planeve të shpenzimeve të Ministrisë.

Mbajtja e pozitave me ushtrues detyre

Një prej problemeve më të mëdha që përballet MPB dhe agjencionet vartëse është mbajtja e pozitave udhëheqëse me ushtrues detyre në afate të gjata kohore

“Në bazë të dhënave të raportuara nga Njësitë e Personelit për vitin 2017, numri i pozitave të mbajtura me UD ishte si në vijim:Në MPB 10 pozita, prej të cilave një pozitë nga viti 2014, katër pozita nga viti 2015 dhe dy nga viti 2016;Në ARC 11 pozita, prej të cilave dy që nga viti 2011, dy nga viti 2015 dhe një nga viti 2016;Në Agjencia e Forenzikës së Kosovës (AFK) një pozitë nga viti 2016;Në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) gjashtë pozita, prej të cilave katër nga viti 2011 dhe dy nga viti 2014;Në PK 15 pozita, prej të cilave, një pozitë nga viti 2014 dhe tri pozita nga viti 2016;Në Agjencinë Kosovare për Siguri Publike (AKSP) dy pozita, njëra që nga viti2013 dhe tjetra nga viti 2016; Në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) një pozitë që nga viti 2016”, thuhet në raport.

375 të punësuar në polici mbajnë pozita në shpërputhje me gradat e fituara

Problem tjetër është ushtrimi i pozitave të punës në mospërputhje me gradat e fituara

Në polici, 375 të punësuar të stafit policor vazhdojnë të ushtrojnë pozita të punës në mospërputhje me gradat e fituara.

“Me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm kompensimi për të punësuarit që ushtrojnë pozita më të larta, bëhet në bazë të pozitës dhe jo në bazë të gradës që aktualisht e ka arritur i punësuari. Kjo dukuri është në kundërshtim me sistemin e pagave të PK-së, ku koeficienti i pagës bazë për stafin policor përcaktohet në varësi të gradës dhe jo pozitës së punës. Lidhur me këtë çështje ne kemi rekomanduar edhe në vitet paraprake. Përkundër kësaj gjatë vitit 2017 kishte rritje të rasteve të tilla”, thuhet në raport.

E gjetur tjetër është angazhimi me marrëveshje për shërbime të veçanta për pozita të rregullta të punës.

Auditi thotë se MPB vazhdon të angazhojë punonjës me marrëveshje për shërbime të veçanta, të cilët angazhohen pa procedura të rregullta të rekrutimit.

“Numri i të angazhuarve në këtë formë gjatë vitit 2017 ishte 13, prej të cilëve nëntë raste i takonin AME-së. Në nëntë nga 13 rastet e lartëpërmendura ishte tejkaluar kohëzgjatja e lejuar ligjore për angazhim në këtë formë”, thuhet në raport.

Problem tjetër është vonesa në realizimin e pagesave

Auditi ka gjetur në gjashtë pagesa në vlerë të përbashkët prej 303,353 euro, ka pasur vonesa në pagesë prej pesë deri në 78 ditë, pas afatit 30 ditësh për pagesë.

Parregullsi në pranimin e mallit dhe në procedimin e pagesave

Në 27 pagesa të testuara që përfshijnë Ministrinë e Brendshme, policinë dhe Agjencinë Kosovare për Siguri (20 në lidhje me mallra dhe shërbime dhe 7 me investimet kapitale) Auditi ka gjetur se urdhërblerja ishte lëshuar pas pranimit të mallit/shërbimit dhe pas pranimit të faturës ndërsa në 20 raste zotimi i mjeteve ishte bërë pas pranimit të faturës, çka bie në kundërshtim me procedurat e përgjithshme për procedimin e pagesave që përcaktohen me legjislacionin në fuqi.

“Ndërlidhur me rastet e cekura më lartë, në MPB, në kuadër të kontratës ‘Fushatë mediale informuese’ në vlerë 17,818€ ishte paraparë edhe realizimi i spotit televiziv kundër terrorizimit si dhe blerja e hapësirës reklamuese për shfaqjen e këtij spoti në televizione dhe portale online në vlerën prej 9,794€. Me kontratë ishte paraparë që shërbimi të kryhet brenda 45 ditëve kalendarike nga data e marrjes së porosisë dhe publikimi të përfundoj më së largu deri me 31.12.2016 (data e skadimit të kontratës). Ky shërbim ishte vonuar dhe publikimi ishte bërë në prill të vitit 2017. Urdhërblerja ishte lëshuar pas pranimit të faturës.Në pagesën ‘Furnizim me çertifikata për regjistrimin e automjeteve’ në vlerë 27,700€ në MPB, kishte vonesë në pranimin e mallit për 56 ditë. Menaxheri I kontratës kishte shtyrë afatin e liferimit për 30 ditë, me arsyetimin se furnizuesi ka pasur avari në depo. Mirëpo sipas kushteve të veçanta të kontratës Furnizuesi mund të kërkoj shtyrje të afatit të liferimit vetëm nëse realizimi i kontratës vonohet për shkaqe të cilat nuk janë gabim i Furnizuesit. Avaria në depo ishte shkaktuar nga gabimi i furnizuesit pasiqë depo nuk i përmbushte kushtet për ruajtjen e mallit. Edhe përkundër këtij fakti MPB nuk kishte zbatuar ndalesën/penalltinë për vonesë në vlerë prej 900€.Në pagesën ‘Furnizim me material për zyre’ në vlerë 57,500€, në MPB edhe pse pranimi i mallit ishte bërë në kuadër të afateve të kontraktuara, procedimi I urdhërblerjes ishte bërë pas pranimit të faturës dhe pas skadimit të kontratës.Kontrata kishte skaduar me 12.11.2017, fatura ishte pranuar me 20.12.2017 ndërsa urdhërblerja ishte lëshuar me 21.12.2017.”, thuhet në raport

Menaxhimi i flotës së automjeteve

Menaxhimi me flotën e automjeteve të policisë, ku bëhet edhe servisimi dhe riparimi i automjeteve, vazhdon të jetë i dobët.

Auditi tregon se vonesat në riparimin e automjeteve ishin të stërzgjatura ku një numër i automjeteve ishte në pritje për servisim nga viti 2016.

“Arsyet e pritjeve kaq të gjata të automjeteve për riparim sipas zyrtarëve të flotës ishin: lloje të ndryshme të automjeteve dhe defekte të natyrave të ndryshme (për të cilat kërkohet njohuri adekuate), numër i vogël I personelit, mungesa e pjesëve rezervë si dhe vjetërsia e automjeteve. Numri i automjetet që presin për riparim përfshinte 32 automjete nga viti 2016 dhe 77 automjete në vitin 2017. Në lidhje me ketë çështje ne kemi rekomanduar edhe viteve të kaluar por nuk janë ndërmarrë masa për përmirësimin e gjendjes”, thuhet në raport.

E gjetur tjetër është raportim jo i drejtë i obligimeve të papaguara. Dy fatura në vlerë totale 30,341€ (që i takojnë policisë), për furnizim me karburant, nuk ishin raportuar si obligime të papaguara dhe nuk ishin shpalosur në Programian Financiar vjetor të vitit 2017, edhe pse ato ishin pranuar në muajin qershor dhe gusht të vitit 2017.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re