Altin Dumani, kryetari i SPAK gjatë raportimit në Këshillin Kombëtar të Integrimit, është shprehur se nuk komenton asnjë vendim të Gjykatës së Posaçme apo Apelit të GJKKO-së.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se gjykata është në të drejtën e saj që të japë vendime bazuar në ligj dhe prova.

“Gjykata është sovrani dhe kanë demonstruar profesionalizëm në dhënien e vendimeve”, u shpreh kreu i SPAK.

Altin Dumani theksoi se një prokuror mund të “dashurohet” me një çështje dhe kur ka pakënaqësi ndaj një vendimi të gjykatës ushtron të drejtën e ankimimit.

“Në raportimin tim para KLP kam evidentuar një shqetësim institucional që kishte të bënte me prokurorinë që kishte të bënte me rritjen e numrit të pafajësive krahasuar me 1 vit më parë. Gjithë qëllimi është ky që ne prokurorët të jemi më të kujdesshëm, kur ngremë akuza.

Gjykata është në të drejtën e vet të japë vendime si produkt i bindjes së brendshme dhe duke u bazuar në ligj e prova. Nuk komentoj asnjëlloj vendimi gjykate, jam prokuror dhe mund të jem i pakënaqur me një vendim gjykate, pasi një prokuror lidhet pas një çështje dashurohet me të dhe ajo që unë mendoj është zgjidhja e drejtë.

Por gjykata është sovrani dhe kanë demonstruar profesionalizëm në dhënien e vendimeve. Ne respektojmë vendimet, kur nuk kënaqemi ushtrojmë të drejtën e ankimimit dhe kemi të mirën tjetër që i përfaqësojmë vetë të gjitha çështjet”, deklaroi Altin Dumani.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re