Kryeministri i Malajzisë, Mahathir Mohamad, tha  këtë të shtunë se ai kërkonte të mbetej në pushtet edhe pas vitit 2020, vetëm katër ditë pasi premtoi se do t’i hapte rrugën pasardhësit të tij, Anwar Ibrahim.

I pyetur në Forumin Doha në Katar nëse ai do të tërhiqet në vitin 2020, kryeministri më i vjetër në botë tha se ai dëshironte të zgjidhte problemet që siç tha, ishin lënë nga qeveria e mëparshme para dorëheqjes së tij.

“Unë premtova të tërhiqem pas zgjidhjes së disa prej problemeve kryesore të lëna nga qeveria e mëparshme. Unë premtova të tërhiqem dhe t’i jap udhëheqje një kandidati të caktuar nga koalicioni”, tha ai.

Por Mahathir, 94 vjeç, nuk tha kur ai synonte të linte detyrën.

Të martën, ai premtoi t’i dorëzonte pushtetin Anwarit, dhe se ai mund të ishte i gatshëm ta bëjë këtë pas samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësorit (APEC) të organizuar nga Malajzia në nëntor të vitit 2020.

I pyetur nëse Anwar është personi më i mirë për ta pasuar atë në vendin e kryeministrit dhe nëse ai do ta mbështesë atë, Mahathir tha se nuk mund të garantojë se kush do të ishte personi më i mirë për shkak të përvojave të tij të mëparshme të këqija.

Mahathir u zgjodh papritur në vitin 2018 si drejtues i një qeverie të koalicionit, partia më e madhe e së cilës drejtohet nga Anwar, 72 vjeç, i cili është burgosur dy herë për akuza të veçanta, por që pretendon se ishin të motivuara politikisht.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re