Skip to content

“Kur ta zemë, do t’ja mbathë”, Berisha: Rama kryehajduti dhe kryefrikacaku i Kombit

Këtë të hënë, më 16 dhjetor, po zhvillohet protesta e radhës e Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë, e thirrur nga kryetari Sali Berisha.

Fjalën hapëse e mbajti deputetja demokrate Albana Vokshi, e cila denoncoi problemet e thella të shtetit shqiptar, duke përfshirë lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar dhe drogën, dhe vuri në dukje miratimin e rezolutave ndërkombëtare që paralajmërojnë rreziqet për sigurinë europiane.

Më pas fjalën e mori kreu i PD, Sali Berisha, i cili ndër të tjera u shpreh se, Edi Rama nuk është vetëm kryehajduti por edhe kryefrikacaku i kombit.

Sonte, ne mblidhemi për të shpallur para jush këtu, për të shpallur para mbarë shqiptarëve se PD nis betejën e saj përfundimtare për fitoren e opozitës, për fitoren e shqiptarëve.

Miqtë e mi, parafolësit këtu theksuan se Edi Rama është një hajdut i papërmbajtur, por në të gjitha ligësitë e njeriut, ajo që shterron guximin më shumë është vjedhja. Ndaj dhe Edi Rama është frikacaku më i madh që ka njohur Shqipëria në atë detyrë.

Vetëm një moment, shikoni se ç’bën çdo natë me Adriatik Lapajn, në protestën e tij më qytetare, më civile. Vë një karrige aty, disa mjete dhe proteston në emër të çdo qytetari. Çdo ditë, me orë të tëra policia, banditët ua heqin çadrat, u heqin tavolinat, u heqin ujin me akte banditeske. Pse kjo?

Sepse ai është kryefrikacaku i kombit. Kryehajduti është edhe kryefrikacaku i kombit.

Dhe u garantoj unë se ai është aty, se ai vjedh shqiptarët ditë e natë, nuk ngopet kurrë, e tha bukur Gëzim Sadiku, ai nuk ngopet kurrë. Ai i bën të gjitha këto vetëm për shkakun tonë, se e lejojmë ne. U jap ju fjalën e nderit, se kur ta zëmë në këtë shesh, me betimin se nuk e lëshojmë pa largimin e tij, ai do ia mbathë”, tha ndër të tjera Berisha.