-Dr. Loka! Unë ndjej se kjo që po bëj nuk po më ndihmon. Nuk mendoj se terapia është gjëja e duhur për mua. E kuptoj që ju jeni përpjekur të më ndihmoni, por unë nuk po ndjehem mirë. Dua ta ndërpres terapinë!
Po! Ndodh! Ndodh që, për shumë faktorë, një pacient të mos përfitojë nga terapia dhe të dojë ta ndërpresë terapinë.
Ndoshta trajtimi i caktuar terapeutik nuk ka qenë i përshtatshmi, ndoshta pacienti nuk ka qenë ende gati për ta hapur veten ose për t’u përballur me të vërtetat e veta, ndoshta komunikimi midis palëve nuk ka arritur t’i shërbejë krijimit të një marrëdhënieje terapeutike në të cilën pacienti e shikon terapistin si aleatin e tij, ndoshta terapisti nuk ka ditur ndërhyrjet e duhura…
Faktorët pse terapia nuk ia del gjithmonë të ndihmojë mund të jenë të shumtë dhe të shumëllojshëm (e pamundur të listohen në një postim në FB).
Ne si terapistë, në të tilla raste, kemi për detyrë:
së pari, ta besojmë plotësisht pacientin kur deklaron se terapia nuk po i ndihmon dhe t’ia pranojmë me zë të lartë këtë fakt;
së dyti, t’i kërkojmë një seancë përmbyllëse pavarësisht vendimit për ta mbyllur terapinë dhe, së treti, në seancën e fundit të sigurohemi që të flasim lidhur me gjithçka ka ndodhur në përgjatë kohës në terapi.
Vetëm kështu do të sigurohemi që, pasi të ikin nga ne sepse ndjenë se terapia nuk ishte kura e përshtatshme për ta, ata të jenë plotësisht të qartë se dështimi i terapisë nuk ndodhi për fajin e tyre. Nuk ndodhi sepse ata janë të pandihmueshëm. Nuk ndodhi sepse ata janë raste të pashpresë.
Ne kemi përgjegjësinë, thuajse mbi çdo përgjegjësi tjetër në rolin si terapistë, që të mos e dëmtojmë pacientin tonë.
Dhe një pacient që nuk ndihmohet ta adresojë hapur dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë faktin SI dhe PSE terapia nuk pati sukses, është një pacient i dëmtuar.
Dështimi i terapisë mund të mos jetë rezultat i mungesës së profesionalizmit nga ana e psikologut, por refuzimi i psikologut për ta njohur si dicka që ndodh dhe për ta ndihmuar pacientin ta trajtojë, është, pa asnjë ekuivok, tregues se psikologu ka ende shumë punë për të bërë me veten si profesionist.
Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re