Në Korenë e Jugut, një vend i njohur për standardet e tij të rrepta të bukurisë, një debat i pazakontë ka pushtuar skenën politike: a duhet shteti të paguajë për trajtimet kundër rënies së flokëve?
Presidenti Lee Jae Myung e ka ngritur këtë çështje në nivelin e një “prioriteti kombëtar”, duke e cilësuar tullacllëkun jo thjesht si një problem estetik, por si një “çështje mbijetese” për të rinjtë.
Në një shoqëri ku i ashtuquajturi “lookism” (përparësia e të bukurve) është një normë e pranuar, pamja e jashtme konsiderohet si një “kredencial” po aq i rëndësishëm sa diploma.
Nga aplikimet për punë që kërkojnë fotografi deri te presioni social për të qenë gjithmonë i kuruar, humbja e flokëve perceptohet si një pengesë reale për progresin socio-ekonomik.
Për shumë të rinj si Kim Sang-jin, i cili shpenzon mbi 100 dollarë në muaj për kura, mbështetja qeveritare do të ishte një shpëtim financiar. Megjithatë, propozimi i presidentit ka ndarë vendin në dysh.
Kritikët dhe Shoqata Mjekësore Koreane ngrenë pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e këtij plani. Në një kohë kur financat e sistemit shëndetësor janë të sforcuara, kundërshtarët argumentojnë se taksat nuk duhet të përdoren për kushte që mund të trajtohen individualisht dhe që nuk rrezikojnë jetën në mënyrë direkte.
Për më tepër, disa gra e shohin këtë si një politikë populiste që favorizon kryesisht burrat.Nga ana tjetër, obsesioni mbetet i lartë. Sondazhet tregojnë se gati gjysma e koreanëve që nuk kanë simptoma të rënies së flokëve, janë gjithsesi të interesuar për kura parandaluese.
Ky ankth kolektiv ushqehet nga një përkufizim i ngurtë i bukurisë, ku çdo devijim nga imazhi “i përsosur” mund të kushtojë shtrenjtë në tregun e punës ose në jetën sociale.
Ndërsa Ministria e Shëndetësisë rishikon mundësitë e mbulimit, debati pasqyron një të vërtetë më të thellë për Korenë e Jugut: në një botë ku imazhi është valutë, qeveria po tenton të blejë besnikërinë e të rinjve duke premtuar mbrojtjen e kësaj valute.
Për udhëheqësin Lee, kjo është një lëvizje taktike për të fituar zemrat e një brezi të pakënaqur, duke e shndërruar skalpin e kokës në një fushëbetejë elektorale.



