Regjisori Dhimitër Anagnosti duket sportiv teksa është i përqendruar në punën e grupit të xhirimit, vendosur në Vuno. Janë fragmente të shkëputura në aparatin fotografik, nga koha kur xhirohej filmi  artistik ”Gjoleka djali i Abazit”, tetor 2004.

 

Është Spartak Papadhimitri, artisti i kameras dhe drejtori i fotografisë së këtij filmi, që bën publike disa imazhe që na zhvendosin në kohë, për të parë anën tjetër të një pune për të sjellë një nga prodhimet kinematografike më të mira të dekadës së fundit.

 

Filmi me skenar dhe regji të Dhimitër Anagnostit ka marrë dy çmime ndërkombëtare dhe është pritur mirë nga publiku. Ngjarjet në film, zhvillohen në një fshat të vogël në Shqipëri rreth viteve 30′. Ky vend i izoluar dhe i dominuar nga patriarkalizmi, me të cilën rritet dhe djali i Abazit.

 

Serveti, një ish-banor i fshatit kthehet në fshat mbas emigracionit në Amerikë, duke sjellë me vete një frymë dhe mentalitet të ri në fshat, që shërbeu dhe për Gjolekën e vogël 10 vjeçar si një frymëzim. Gjoleka djali i Abazit rritet mes ideve të të atit dhe ato të kumbarit të tij Servetit. Gjoleka simbolizon gjeneratat e reja që rriten në realitetin e vështirë që ofrojnë vendet e pazhvilluara.

 

Filmi me një realizëm të thellë tregon raportet njerëzore, dashurinë , urrejtjen, dhe pamundësinë për tu integruar në një botë tjetër, duke ndërtuar kështu një autopsi të shoqërive të çuditshme në të cilat nganjëherë bëjmë pjesë të gjithë. Në role kryesore në këtë film interpretojnë Artur Gorishti, Marjana Kondi, Roza Anagnosti, Zef Mosi, Myzafer Zifla, Luljeta Bitri, Xhevdet Ferri, Valentina Kita, Rozeta Ferri, etj.

 

 

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re