Ylli Rakipi po shfaqet i shqetësuar kohët e fundit për “mbarrëvajtjen e jetës islame në Shqipëri”, ku veçon Xhamia e Madhe. Duket sikur ai ka një gjumë të trazuar, në mos pagjumësi, se pse ajo s’po hapet.

Disa prej emisioneve të tij në një TV të re po ia kushton pikërisht aspekteve islame në vend. I ka më shumë zell. Por është prej atyre zelleve që e bëjnë dhe anekdodik, në mos qesharak. Ka dhe një injorancë të hatashme në raport me guximin po aq të hatashëm për të rrahur tema ku s’ja ka haberin. Nuk e kupton apo nuk do ta kuptojë se është i tillë, sidomos kur rreket në tema islame.

Nuk ka ngjashmëri me Mustafa Nanon. Nano është njeri i lexuar që meriton respekt. Madje islamofobia e tij është dhe një lloj kërkimi intelektual. Me qasjet e tij dhe debatet që provokon madje, ndihmon veten por dhe shoqërinë që ta njohë apo kuptojë më mirë Islamin.

Ylli Rakipi është krejt tjetërçka: nuk ka as kalibër intelektual si Nano, as etik e as inteligjent. Është ndër ata emra me një pikëpyetje të madhe mbi kokë sa herë shfaqet e flet studiove televizive, se ç’lloj aftësie e veçantë e mban në tregun e mendimit gazetaresk.

Nëse do bësh një renditje të figurave më “pa lezet” kur flet, pa shije dhe që nuk ka për çfarë ta dëgjosh, mundet të ishte në krye të listës.

Produkti më i freskët i tij televiziv qe një debat me titull “Mustafa Nano përballë islamistëve”.

Në Shqipëri ka patur e ka islamofobi, edhe do ketë, është fenomen shoqëror i çdokohshëm, por deri në këtë pikë, sa figurave të komunitetit musliman në vend, njerëzve më integritet të provuar publik, t’i cilësosh si “islamistë”, një sajesë pezhorative e fjalorit antimusliman, duhet të jesh në mos i ligë, injorant.

Sërish vijmë te krahasimi me Mustafa Nanon. Nano është kulturalisht i respektueshëm, paçka se fetarisht i kundërshtueshëm, autor librash interesantë dhe të denjë për t’u lexuar në këndvështrime të caktuara, prodhues i palodhur qasjesh gazetareske plot stil dhe me tematika tërheqëse, në finale pra një emër që e ka bërë historinë e tij gazetareske, edhe pse të debatueshme, por gjithsesi të padiskutueshme në forcën imponuese. Ylli Rakipi s’ka asgjë nga këto, nuk ka as atë njerëzillëkun e marrëdhëniëve normale njerëzore, me namin e keq në familjen mediatike shqiptare, të njeriut me të cilin s’mund të punohet prej harbutllëkut në karakter. /tesheshi.com/                     

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re