Migrena është një gjendje neurologjike që shkakton dhimbje të forta pulsuese, zakonisht në njërën anë të kokës. Më shumë se thjesht një dhimbje koke tipike, migrena, mund të përkeqësohet me lëvizjen, dritat, tingujt dhe të shkaktojë nauze, të vjella, mpirje në gjymtyrë dhe ndryshime të shikimit.
Ashpërsia e dhimbjes së shkaktuar nga migrena mund të ndryshojë nga personi në person, megjithatë, ajo mund të përhapet nga koka në rreth syve, fytyrës, sinuseve, nofullës dhe qafës dhe mund të ndërhyjë në stilin e jetesës.
Ndërsa trajtime të tilla si qetësuesit e dhimbjes pa recetë, ndryshimet e stilit të jetesës mund të ndihmojnë në përballimin e dhimbjes, ato mund të vijnë me një mori efektesh anësore të padëshiruara dhe kosto të mëdha.
Megjithatë, një ilaç në shtëpi mund të jetë efektiv – madje edhe i këndshëm. Ekspertët thonë se aktiviteti seksual mund të lehtësojë dhimbjen e migrenës apo dhimbje të tjera koke.
Mjekët e lidhin këtë me çlirimin e disa ‘hormoneve të lumturisë’, si dopamina, serotonina dhe endorfina, të cilat prodhohen gjatë aktivitetit seksual, që mund të ndihmojnë në lehtësimin e presionit dhe ndalimin e pulsimit.
Një studim i vitit 2013 nga Universiteti i Munsterit në Gjermani zbuloi se 60 përqind e njerëzve raportuan një përmirësim të sulmit të migrenës pas aktivitetit seksual.
Ndërsa studiuesit ende nuk kanë zbuluar shkakun e saktë të migrenës, disa besojnë se nerva të veçantë në enët e gjakut mund të dërgojnë sinjale dhimbjeje në tru.
Kjo lëshon substanca inflamatore në nervat e kokës dhe enët e gjakut – duke shkaktuar një dhimbje të fortë pulsuese.
Stresi, ankthi dhe nxitësit emocional, gjithashtu mund të lëshojnë kimikate në tru që kontribuojnë në migrenë.
Sipas Dr. Megan Donnelly, një neurologe dhe specialiste e dhimbjeve të kokës orgazmat dhe dhimbja prekin të njëjtat zona të trurit. Ajo shpjegoi se orgazmat stimulojnë prodhimin e endorfinës, që janë qetësues natyral të dhimbjes në trup. Lëshimi i endorfinës nga seksi mund të lehtësojë dhimbjen e migrenës.
Gjatë një sulmi migrene, njerëzit mund të kenë nivele më të ulëta të disa neurotransmetuesve si dopamina dhe serotonina. Të dy këta neurotransmetues çlirohen gjatë aktivitetit seksual dhe mund të lehtësojnë dhimbjen.
Një studim i veçantë i vitit 2019 i botuar në Annals of Indian Academy of Neurology zbuloi se të sëmurët nga migrena po përjetonin gjithashtu efekte anësore seksuale. Ai zbuloi se 78 përqind e njerëzve që jetonin me migrenë – kryesisht femra – përjetuan gjithashtu mosfunksionim seksual. Për më tepër, sa më e gjatë të jetë kohëzgjatja e migrenës dhe sa më e shpeshtë, aq më i ulët është funksionimi seksual tek ata që vuajnë nga migrena.
Neurologu tha për MDLink: “Trajtimi i migrenës mund të ndikojë pozitivisht në mosfunksionimin seksual, por përgjigjet individuale mund të ndryshojnë”.
Sipas ekspertit, disa të sëmurë nga migrena mund të përjetojnë gjithashtu një gjendje të quajtur dhimbje koke seksuale. Dhimbjet e kokës të lidhura me aktivitetin seksual, të quajtura ndonjëherë ‘dhimbje koke orgazme’ ose ‘dhimbje koke seksuale’, mund të variojnë nga të lehta në të rënda dhe ndodhin gjatë ose pas aktivitetit seksual, shpesh rreth kohës së orgazmës.
Sipas Medical News Today, orgazmat mund të rrisin me shpejtësi presionin e gjakut që mund të shkaktojë zgjerimin e enëve të gjakut në kokë. Kjo mund të shkaktojë dhimbje koke të papritura dhe intensive te disa njerëz.
Në shumicën e rasteve, ato konsiderohen beninje dhe nuk kanë një shkak themelor, megjithatë, ndonjëherë dhimbjet e kokës seksuale mund të jenë simptomë e një gjendjeje më serioze, siç janë problemet me enët e gjakut në tru. Këto lloj dhimbje koke ndodhin katër herë më shpesh tek meshkujt, dhe fillojnë të shfaqen në të 40-at, sipas një studimi të vitit 2010 të botuar në Journal of Headache and Pain.