Qindra besimtarë muslimanë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të falur Kurban Bajramin, një prej dy festave vjetore islame.

Tirana përbën dhe tubimin më të madh në rajon të besimtarëve muslimanë në raste Bajramesh.

Kreu i KMSH-së, z.Skënder Bruçaj, tha se kremtime të tilla duhet t’i shërbejnë dhe ndërgjegjes shoqërore

“Le të lutemi në këto ditë të begata ky mbizotëron përkujdesja hyjnore që dashuria, mëshira, bujaria, dhe sinqeriteti të mbizotërojë në zemrat e njerëzve, në mënyrë që shoqëria jonë të mos përjetojë tragjedi dhe vuajtje”, tha Bruçaj.

“Le t’i gëzohemi së bashku kësaj dite të begatë, në të cilën shpresat, dëshirat dhe ëndrrat tona kthehen nga i Plotfuqishmi dhe realizimi i këtyre aspiratave le të pasqyrohet në aktet dhe veprimet tona në ndihmë të atyre që kanë nevojë për ngrohtësinë, dashurinë dhe vëmendjen e të gjithëve ne”, theksoi kreu i muslimanëve shqiptarë.

Kurban Bajrami u kremtua në të gjitha qytetet shqiptare, ku sheshet e tyre u mbushën nga besimtarë që falën namazin e kësaj feste.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re