Në vigjilje të Kurban Bajramit, kreu i Komunitetit Musliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, përcolli mesazhin e kësaj feste besimi, duke theksuar se kjo ditë e madhe nuk ka të bëjë ngushtësisht me mishin e shpërndarjen e tij.

“Në një ajet Kur’anor thuhet: “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj…” (El-Haxh:37), pra, kjo mirësi që nuk ka për qëllim thjesht shpërndarjen e mishit te kurbanit, por synon bashkimin e zemrave dhe përçimin e frymës së respektit dhe dashurisë për njëri-tjetrin”, theksoi Bruçaj.

Sipas tij, “besimtari i cili ka shijuar ëmbëlsinë e besimit është zemërgjerë, lutet dhe punon për të mirën e të tjerëve, dhe ndan me të tjerët mirësitë dhe begatitë që i ka dhuruar Krijuesi i Gjithësisë. Kurbani është një shenjë falënderimi ndaj Allahut (xh.sh), i Cili na ka dhënë mirësi të panumërta. Njeriu arrogant, hipokrit i cili ka hequr dashurinë dhe mëshirën nga zemra e tij mund të kthehet në një egërsirë e cila mund t’i shkaktojë shumë plagë shoqërisë”.

Ndërkohë, në mesazhin e Bruçajt vihet re fakti që falja e Kurban Bajramit të martën, do të bëhet sërish në sheshin “Skënderbej”, në orën 7 të mëngjesit.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se namazi i Kurban Bajramit, ditën e martë, 21 gusht 2018, do të falet në orën 07:00 në Sheshin Skënderbej”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ky është një rikthim aty ku një vit më parë, për shkak të një dore provokative në media, u shkaktuan polemika të panevojshme rreth raportit të komunitetit të besimtarëve me figurën e heroit kombëtar. Dikush pretendoi se me banderolën e festës ishte mbuluar qëllimisht monumenti i Skënderbeut dhe kaq u desh që në mediat sociale të shpërthente një gjuhë jo etike ndaj muslimanëve. Siç u vërtetua në terren, banderola dhe momenti ishin një lojë optike, por kjo mjaftoi që festën pasaardhëse, Fitër Bajramin e para më shumë se dy muajve, falja të kryehej te “Dëshmorët e Kombit”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re