Në sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë u zbulua vepra artistike e titulluar “Kurrë mos thuaj kurrë”, kushtuar të gjithë të burgosurve politikë shqiptarë gjatë ish-Jugosllavisë, në vitet ‘80-‘90 dhe atyre që punuan dhe sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

Shprehja “Kurrë mos thuaj kurrë” është përdorur nga disidenti dhe politikani shqiptar Adem Demaçi në një diskutim politik televiziv gjatë viteve të ‘90-ta, kur shpërthyen luftërat në ish-Jugosllavi.

Autori i veprës artistike, Alban Muja, tha se “Kurrë mos thuaj kurrë” është një thirrje për të mos hequr dorë kurrë nga drejtësia, liria dhe pavarësia.

“Edhe pse shqiptarët përbënin 12 apo 13 për qind të popullsisë gjatë ish-Jugosllavisë, ata përbënin më shumë se 90 për qind të të burgosurve politikë”, theksoi Muja.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, tha se monumenti përkujton figurën e Adem Demaçit, një prej figurave qendrore të rezistencës kombëtare shqiptare, si dhe të tjerëve që ishin pjesë e asaj qëndrese.

“Sot i shtojmë edhe një pikë qytetit të Prishtinës për të shënuar gjithë atë aktivitet, gjithë atë rezistencë kombëtare, të cilën e udhëhoqi zoti Demaçi, por edhe shumë të tjerë”, ka theksuar Çeku.

Ai shtoi se transformimi i hapësirave publike në Kosovë duhet të vazhdojë, me më shumë art dhe ndërveprim mes publikut dhe veprave të artit.

Vepra “Kurrë mos thuaj kurrë” e Alban Mujës është mbështetur dhe financuar nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re