Skip to content

Kursi Euro-Lek prek rekord të ri në rënie, agjentët: Ka rritje të këmbimeve nga bizneset e lidhura me turizmin

  • 14/06/2022

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Euro ka pësuar sërish rënie ditën e martë në kursin e këmbimit me Lekun, duke prekur një minimum të ri historik.

 

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 119.88 lekë, niveli më i ulët i të gjitha kohërave. Agjentët e këmbimit valutor mendojnë se nënçmimi i mëtejshëm i Euros tashmë mund të shpjegohet kryesisht me faktorin sezonal. Sezoni veror sjell rritje të flukseve hyrëse valutore, tendencë e lidhur veçanërisht me turizmin. Rritja e ofertës rrjedhimisht ndikon në zhvlerësimin e kursit të këmbimit të Euros ndaj Lekut.

 

Burime nga tregu bëjnë të ditur për “Monitor” se në javët e fundit po vërehet një rritje e këmbimeve që kryhen nga bizneset e lidhur me turizmin, kryesisht nga agjencitë turistike. Sipas tyre, kjo është dëshmi e rritjes së prurjeve nga turizmi, por edhe një faktor që paralajmëron se sezoni veror do të jetë pozitiv dhe do të shoqërohet me rritje të mëtejshme të flukseve valutore. Zakonisht, kulmi i efekteve sezonale në kursin e këmbimit Euro-Lek shfaqet mes fundit të muajit korrik dhe fillimit të muajit gusht. Agjentët e këmbimit besojnë se këtë vit kursi i Euros me shumë të ngjarë do të prekë rekorde të reja historike në kahun rënës.

 

Me përjashtim të një periudhe të shkurtër gjatë muajit mars, kursi i këmbimit Euro-Lek këtë vit është shfaqur i qëndrueshëm, madje me një tendencë mbiçmuese të Lekut. Forcimi i Lekut në këtë periudhë ka qenë pjesërisht i papritur, kryesisht për shkak të inflacionit të lartë të mallrave të importuara dhe pritshmërive se shtrenjtimi importeve do të rriste nevojën për valutë dhe do të zhvlerësonte Lekun. Por, një gjë e tillë nuk ndodhur, edhe për shkak se në fakt bilanci i llogarisë korrente të vendit në tremujorin e parë të këtij viti është përmirësuar.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, deficiti i llogarisë korrente për tre muajt e parë të vitit kishte vlerën e 233 milionë Eurove, vlerë kjo 57% më e ulët krahasuar me tremujorin e fundit 2021 dhe 22% më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e deficitit tregtar në mallra këtë tremujor është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me tremujorin IV 2021, ndërsa llogaria e shërbimeve ka rritur edhe më shumë kontributin e vet pozitiv.

 

Kontribuuesit kryesorë kanë qenë sektori i turizmit dhe i ai fasonerisë, që historikisht kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ngushtimin e deficitit tregtar që ka vendi në mallra.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga turizmi për tremujorin e parë të vitit arritën në 409 milionë Euro, niveli më i lartë historik i regjistruar për këtë periudhë të vitit. Por, megjithatë bilanci neto në zërin e udhëtimeve pësoi rënie me 15% krahasuar me një vit më parë, sepse shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit u rritën me ritme edhe më të larta se shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri./Monitor

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë