Fondi Monetar Ndërkombëtar mbështet një regjim të lirë të kursit të këmbimit, duke theksuar përfitimet që ka ekonomia. Në takimin që misioni i FMN pati me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, institucioni i lartë financiarë tha se ndërhyrjet e bankës qendrore duhet të kufizohen vetëm në rast çrregullimesh në treg dhe se roli i kursit të këmbimit duhet të jetë si amortizator i goditjeve. Shefja e FMN tha se forcimi i lekut vjen në linjë me rritjen e eksporteve.

 

Ndërsa guvernatori informoi përfaqësuesen e misionit, se Banka e Shqipërisë nuk targeton një nivel të caktuar të kursit të këmbimit. Ai shtoi se tregu valutor ka funksionuar normalisht gjatë dy viteve të fundit, duke mos shfaqur çrregullime apo fenomene spekulative. Ky fakt, sipas bankës, është dëshmi që forcimi i lekut është një fenomen i përcaktuar nga ekonomia reale dhe jo nga tregu financiar. FMN mbështeti dhe masat që ka marrë banka për të frenuar inflacionin, duke kërkuar kthimin e tij në objektiv.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re