Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, kanë takuar sot qytetarët e Obiliqit, në kuadër të zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë.

Teksa ecnin sheshit të Obiliqit, një qytetar u ka ofruar atyre picë, të cilën Kurti e pranoi dhe e hëngri gjatë kohës që përshëndeste qytetarët.

Para të pranishmëve, Osmani bëri thirrje për mbështetje ndaj partisë së Kurtit. “Me prezencën tuaj sot po dëshmoni se nuk ka asgjë që mundet me e ndal vullnetin për ndryshim që do të vuloset me 14 shkurt. Ju lus që të gjithë ata që e nhjihni qoftë të Obiliqit qoftë të komunave tjera t’u tregoni se e kemi shansin historik për ta vënë shtetin tonë në një rrugë të drejtë, me një qeverisje të drejtë që fjalën e thënë para jush e kanë të shenjtë dhe nuk e shkelin kurrë. Ka ardh koha që më 14 shkurt që atyre që ju harrojnë pas zgjedhjeve ti harroni edhe ju njëherë e përgjithmonë”, tha Osmani.

Ndërsa Kurti deklaroi se ai, Vjosa Osmani dhe kandidatët e tjerë janë për fitore dhe për një shtet të së drejtës dhe punësim.

“Jemi fare pak ditë deri tek zgjedhjet e 14 shkurtit që janë një referendum gjithë popullor. Në 1999 e kemi mbajtur referendumin e fundit ku Kosova është deklaruar për pavarësi, e në 2021 e kemi një referendum tjetër ku të gjithë duhet të deklarohemi për drejtësi dhe punësim. Unë bashkë me zonjën Presidente, Vjosa Osmanin, 110 kandidatë gjithsej jemi duke i prirë këtij ndryshimi dhe fitore për të gjithë ju”, ka thënë Kurti.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re