Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i gatshëm të vlerësojë zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës nëse dhuna përfundon. 

 

“Nëse do të ishte një protestë paqësore, do të kishte pasur simpatinë time, por jo një demonstrim të çmendur me shkronjën Z ​​(simbol pro-rus, red.), ku qëllojnë ushtarë dhe policë, hedhin granata, duke bërtitur “vrit, vrit”. Në këtë turmë fashiste, le të mos heqim dorë nga republika jonë demokratike. Nëse protestojnë në mënyrë paqësore për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, ata kanë një kryeministër që është më se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta është dakord me ta”, tha Kurti gjate forumit per sigurine ne Bratislavë

 

Qindra serbë u mblodhën sërish të mërkurën para ndërtesave të komunave në veri, dy ditë pas përplasjeve që lanë pas vetes 30 të plagosur nga radhët e forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja dhe rreth 50 serbë.

 

Trazirat nxitën shqetësimin për ripërtëritjen e konflikteve në rajon dhe NATO-ja vendosi shtimin e trupave në Kosovë.

 

Beogradi i cili kundërshton pavarësinë e Kosovës, vendosi javën e kaluar ngritjen e shkallës së gatishmërisë ushtarake dhe urdhëroi trupat të vendosen pranë kufirit me Kosovën.

 

Nga ana tjeter Sekretari amerikan i Shtetit Blinken deklaroi se presidenti  Vuçiç dhe qeveria e Serbisë duhet të ulin nivelin e gatishmërisë së forcave ushtarake serbe dhe t’u bëjnë thirrje banorëve serbë të Kosovës të mos kundërshtojnë KFOR-in dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re