Kryeministri Kurti ka thënë se ka kërkuar nga Agjencia e Kadastrës në Prishtinë që ta regjistrojë pronën e manastirit të Visoki Deçanit, ashtu siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese.

Ai këtë e tha në seancën e kabinetit të tij dhe shtoi se Kosovës i është bërë e qartë se duhet të zgjedhë mes dy opsioneve – të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese ose të heqë nga rendi i ditës çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Pas takimeve, vizitave dhe komunikimeve të shumta, na u bë e qartë se disa nga kushtet e shumta që na u dhanë për anëtarësim në Këshillin e Evropës rezultuan të përmbushura, ndërsa disa u renditën si problematike. Por një mbetet dhe nuk do të hiqet, e ai është zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e Manastirit të Deçanit”, tha Kurti.

Ai shtoi se shtetet e Quint-it ia bënë të qartë se ai duhej të zgjidhte midis dy opsioneve.

Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim që komuna e Deçanit t’i kthejë manastirit të Visoki Deçanit 24 hektarë tokë dhe pyll, por ende nuk është zbatuar, sepse autoritetet lokale në Deçan refuzojnë regjistrimin e tokës në kadastër, duke sqaruar se prona është e ndërmarrjeve sociale Apiko dhe Illyria.

Për shkak të moszbatimit të vendimit të gjykatës, bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht e ka kritikuar Kosovën.

Përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka përshëndetur vendimin e Kosovës për regjistrimin e pronës së manastirit të Visoki Deçanit dhe ka theksuar se ky është një hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm.

“Dua të përmend se vendimi i sotëm është shumë i rëndësishëm për Manastirin, ishte i vështirë, por i nevojshëm. Falënderojmë institucionet për këtë hap”, tha Escobar pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.

Kosova ka refuzuar të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2016, sipas të cilit Visoki Deçani duhet të regjistrojë rreth 24 hektarë tokë në afërsi të manastirit si pronë e manastirit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re