Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kujtoi sot trazirat e marsit të vitit 2004. Kurti tha se sot janë bërë 20 vjet nga mbytja e tre fëmijëve në lumin Ibër në fshatin Çabër të Zubin Potokut.

Përmes një postimi ne Facebook, kryeministri shtoi se katër fëmijë shqiptarë, aso kohe u ndoqën nga një grup i të rinjve të komunitetit serb, ndërsa për të shpëtuar nga sulmi, ata u hodhën në lumin Ibër, prej nga i gjallë doli vetëm Fitim Veseli.

Më 17 mars të vitit 2004, në Kosovë shpërthyen trazirat. Gjithçka nisi nga një incident në Mitrovicën e Veriut, ku mbetën të vdekur dy fëmijë. Rrethanat për mbytjen e këtyre fëmijëve në lumin Ibër ende nuk dihen, por ky rast bëri që në gjithë Kosovën të ketë të vrarë nga shqiptarët dhe serbët.

Shumë kush i fajëson mediat, e dikush edhe organizatorët e protestave të marsit 2004, që ende në fakt nuk dihet se kush ishin. Dy fëmijë të mbytur në lumin Ibër ishin arsye që në Kosovë të ketë trazira. Madje mbetën rreth 19 persona të vrarë. 11 prej tyre shqiptarë, e 8 serbë. Raportet ndërkombëtare fajësojnë disa nga mediat nacionale që aso kohe kishin intervistuar disa fëmijë shqiptarë, që ishin dëshmitarë të mbytjes së fëmijëve tjerë në lumin Ibër.

Ata kishin fajësuar serbët për vdekjen e dy vogëlushëve shqiptarë. Pretendonin se serbët kishin lëshuar qentë në drejtim të fëmijëve shqiptarë, e këta të fundit duke ikur, kishin gjetur vdekjen në lumin Ibër. E vërteta e këtij rasti edhe sot e kësaj dite nuk është zbulura asnjëherë. Askush s’ka nxjerrë ndonjë provë për ta vërtetuar si dhe nga kush u vranë ata fëmijë.

Postimi i plotë i Kurtit

Sot u bënë 20 vjet nga mbytja e tre fëmijëve në lumin Ibër në fshatin Çabër të Zubin Potokut. Katër fëmijë shqiptarë u ndoqën nga një grup i të rinjëve të komunitetit serb. Për të shpëtuar nga sulmi, ata u hodhën në lumin Ibër, prej nga i gjallë doli vetëm Fitim Veseli. Ndodhi kjo në një kohë e kontekst me përplot paqartësi për të ardhmen e vendit, pas luftës për të cilën plagët e kujtimet ishin ende shumë të gjalla teksa drejtësia për krimet, vuajtjet e dëmet e përjetuara nuk shihej asgjëkundi.

Lajmi për mbytjen në lum të Egzon Deliut, 13 vjeç, Avni Veselit, 12 vjeç, dhe Florent Veselit, 9 vjeç, u shpërnda rrufe dhe jehoi kobshëm në çdo cep të vendit. Protestat e qytetarëve në rrugë ishin përgjigjja e menjëhershme. Pa thirrje të organizuar e pa organizim në mbarëvajtje, ato shumë shpejt morën përmasa masive duke përfshirë gjithë Kosovën. E kur protesta është spontane e pa organizim, që ajo të jetë paqësore dhe e qetë duhet që secili pjesëmarrës të jetë paqësor e i qetë. Ndërsa për t’u bërë e dhunshme mjaftojnë vetëm një grusht i protestuesve të jenë të tillë. Dhe kështu ndodhi. Madje, fillimisht ato ishin të drejtuara kundër UNMIK-ut e, më pas, se kush i orientoi drejt vendbanimeve me serbë dhe kishave e manastireve ortodokse nuk u sqarua asnjëherë.

Në Mitrovicë u vranë gjashtë qytetarë: Fatmir Abdullahu, Ferid Çitaku, Isak Ibrahimi, Ajvaz Shatrolli, Jana Tuçe (nga Maqedonia e Veriut) dhe Borivoje Spasojeviq. Në Lipjan tre: Nenad Vesiq, Nevzat Rrahmani dhe Arben Shala. Në Gjilan një: Sllobodan Periq. Në Bellopojë një: Esat Tahiraj, nga Novosella. Në Dajkoc dy: Dobrivoje Stolliq dhe Borko Stolliq. Në Çagllavicë tre: vëllezërit Bujar dhe Kastriot Elshani nga Drenasi dhe një person i paidentifikuar. E në Ferizaj një: Alimuhamet Murseli. (Pra, nuk po i dijmë emrat e katër të vrarëve nga gjithsej 20, e nëse konsideroni që ka pasaktësi në emrat ekzistues, ju lutem na e thoni.)

Qindra persona u plagosën, përfshirë këtu pjesëtarë të policisë vendore dhe asaj ndërkombëtare, qindra prona private e objekte të ndryshme u shkatërruan ose dëmtuan përfshirë edhe dhjetëra objekte kulturore dhe fetare. Hakmarrja dhe reagimi për ngjarjet e marsit u përcoll edhe në anën tjetër të kufirit, në Serbi. Dhunë pati në qytetet e Nishit dhe Novi Sadit. Shënjestër ishin shqiptarët dhe grupet tjera të pakicave. Edhe atje u shkaktuan dëme në prona private dhe objekte fetare e kulturore.

Kosova nuk kishte përgatitjen institucionale që ka tani për të parandaluar apo depërshkallëzuar situatën. Vendi ishte nën administrim total ndërkombëtar. Policia e Kosovës që atëherë quhej Shërbimi Policor i Kosovës, përbëhej nga trupa që nuk ishin të pajisur për trazira të tilla. E megjithatë, disa pjesëtarë të Policisë treguan guxim duke rrezikuar jetën e tyre për të ndihmuar e mbrojtur serbë në shumë qytete dhe fshatra.

Prej atëherë shumica e dëmeve materiale që atë kohë kishin marrë përparësi para humbjeve njerëzore, u rikuperuan. Objektet e kultit fetar ortodoks u rinovuan me para të taksapaguesve të Kosovës. Atyre sot u ofrohet mbrojtje e fizike e veçantë nga Policia e Kosovës.20 vjet pas, i kujtojmë ato ngjarje, ndonëse me shumë të panjohura se si rrodhën, teksa ia rikujtojmë vetes se paqja dhe siguria nuk mund të merren të mirëqena. Ato janë më të vështira se dhuna, sepse duhet të mbahen, ruhen e mirëmbahen vazhdimisht. E ajo çka dimë është që Egzoni, Avniu dhe Florenti i mungojnë familjes, dhe të gjithë neve edhe sot, për çdo ditë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re