Kryeministri Kurti deklaroi se zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës nuk mund të zhvillohen pa u shtensionuar situata në atë zonë. Por, ai shtoi se Kosova është duke i kryer përgatitjet për zgjedhje të parakohshme në këto katër komuna.

“Nuk besoj që dikush pret që pa u bërë deeskalimi i plotë të ketë zgjedhje në veri, por natyrisht që ne e vazhdojmë punën edhe më tutje. Ne jemi duke u përgatitur që të ketë zgjedhje të parakohshme”, theksoi ai, duke mos iu dorëzuar kështu plotësisht kërkesave perëndimore.

Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut – janë kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar për shtensionim të situatës në veri, që është përkeqësuar dy muaj më parë.

Në këto komuna të banuara me shumicë serbe, kryetarët e rinj të dalë nga zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – janë shqiptarë. Serbë lokalë kanë protestuar që nga 29 maji kundër hyrjes së tyre në objektet komunale.

Më 11 korrik, Bashkimi Evropian konfirmoi se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

Sipas Kurtit, qeveria e është “e interesuar që zgjedhjet të mbahen sa më parë”, por shtoi se “kjo që do të ndodhë është jashtë përvojës tonë institucionale”.

“Në do të sigurohemi që kjo përvojë e re që do ta kemi me ndërprerjen e mandatit të këtyre kryetarëve në veri të ketë mbështetjen dhe garancitë ligjore dhe procedurale. Pra, duhet të sigurohemi që procesi i tillë të jetë aq e sigurt saqë të jetë e pasfidueshëm në kuptimin legal dhe juridik”, tha Kurti, gjatë një konference për media.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.

Ky peticion, sipas Krasniqit, më pas do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që do ta verifikonte atë dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.

“Në këtë referendum duhet të marrin pjesë të paktën 50 për qind e trupës votuese, plus një. Kështu që kjo është baza ligjore që del dhe buron nga Ligji për vetëqeverisje lokale”, tha Krasniqi.

Më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte thënë se nuk është i sigurt që ekziston një bazë e përshtatshme ligjore për shpalljen e tyre.

Gjatë konferencës, Kurti gjithashtu tha se pret që masat ndëshkuese të ndërmarra nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës të tërhiqen sa më shpejt.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re