Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë pritur në takim drejtorin ekzekutiv të kompanisë së mbrojtjes Baykar Haluk Bayraktar, i cili shoqërohej nga ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunc Angili.

Kurti theksoi se gjatë dy viteve të fundit, Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë bërë përparim të dukshëm në aspektin e aftësive luftarake.

“Në këtë aspekt, përveç buxhetit të dyfishuar për Ministrinë e Mbrojtjes, bashkëpunimi i shkëlqyer me kompaninë turke Baykar dhe Qeverinë e Republikës së Turqisë, me të cilët kemi blerë drone TB2 dhe pajisje të tjera më moderne ushtarake, ka pasur. ndikim të drejtpërdrejtë”, tha Kurti, njoftoi Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i shprehu mirënjohjen Bayraktarit për mënyrën sesi çdo prokurim i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës është trajtuar me prioritet të lartë, gjë që dëshmon edhe një herë marrëdhëniet e ngushta ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Kurti e uroi Bayraktarin edhe për “Medaljen për Shërbime të Shquara”, të cilën ministri i Mbrojtjes Maqedonci ia ndau, që është edhe çmimi më i lartë ushtarak në Kosovë, për gatishmërinë dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit, Kurti dhe Bayraktar diskutuan mundësitë e reja për bashkëpunim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re