Kryeministri Albin Kurti i kujtoi se dyshes Escobar – Lajçak se ndërsa kërkohet asocacioni i komunave serbe në Kosovë, pak më tej në Serbi, shqiptarët e Luginës janë të diskriminuar.

Ai u shpreh se është kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnike, por tha se do të merren praktikat më të mira sepse nuk mund të ketë “komunitet të diskriminuar dhe të privilegjuar”, referuar diskriminimit që Serbia i bën minoritetit shqiptar në territorin e saj.

Sa për Dialogun, Kurti tha se integriteti territorial, sovraniteti e funksionimi shtetëror duhet të mbesin të pacenuara dhe në fund “të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve”.

“Ne jemi të vendosur që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria tërë kohën dhe kudo të ngelen të pacenuara nga çfarëdo përpjekje e ndokujt”, deklaroi Kurti.

Më tej. Ai u zotua edhe për bashkëpunim rajonal duke thënë se angazhohen në Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, po pa përmendur nisma të diskutueshme, siç është ajo e “Open Balkan”.

“Dëshirojmë ndihmën e BE, ndihmë kjo e cila do të has në vendin tonë respektin më të lartë për vlerat evropiane, pra fondet evropiane dhe vlerat evropiane ne i shohim si të lidhura pashkëputshëm njëra prej tjetrës”, përfundoi Kurti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re