Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti këtë të premte ka ftuar Lidhjen Demokratike të Kosovës që të garojnë me një listë të përbashkët, por pa kandidat për kryeministër.

 

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Kurti shkruan se duhet garuar me listë të përbashkët, dhe se varësisht cili kandidat ai i LDK-së apo i VV-së merr më së shumti vota, ai të bëhet kryeministër.

 

“Duke pasur parasysh shansin unik për të hapur një kapitull të ri për shtetin tonë, ne propozojmë një alternativë të re për koalicion tonë. Le të garojmë me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV, pa kandidat të paradhënë e të njëanshëm për kryeministër, por le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Pra, znj.Vjosa Osmani, ose, kandidati ynë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, varësisht cili merr më shumë vota. Me këtë rast ne shprehim gatishmëri për një koncesion të madh: në listën zgjedhore nr.1 të jetë znj.Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati ynë të cilin e vendos Këshilli ynë i Përgjithshëm (e të cilin për hir të korrektësisë ndaj bisedimeve tona ne ende nuk e kemi mbajtur). Numri 1 në listën garuese është bartës liste kurse numri 2 është përfaqësues i koalicionit”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re