Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shqetësohet se heqja e barrikadave në veri të Kosovës “nuk mund të përjashtojë viktimat”, shkruan britanikja Guardian.

Në një artikull të titulluar “Kryeministri i Kosovës thotë se Rusia po ndez tensionet në Serbi, ndërsa lufta në Ukrainë lëktundet”, gazeta thekson se Prishtina prandaj dëshiron të jetë sa më e kujdesshme që të jetë e sigurt se nuk do të ketë destabilizime dhe se do të ketë paqe dhe siguri relative.

“Megjithatë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë nuk mund ta lejojmë përjetë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë”, tha Kurti.

Frika nga lëvizjet nga Beogradi

Ai shtoi se si BE ashtu edhe SHBA janë dakord që barrikadat duhet të hiqen, por se ata janë gjithashtu të shqetësuar se Beogradi mund ta “përdor dhe keqpërdor” këtë.

Kurti pohon se Rusia po nxit tensionet mes Serbisë dhe Kosovës për shkak të zbehjes së luftës në Ukrainë dhe shton se është “i shqetësuar se situata e tensionuar mund të përshkallëzohet në favor të Vladimir Putinit, duke qenë se forcat ruse dhe serbe kanë kryer 104 ushtrime të përbashkëta ushtarake në vitin 2021”.

“Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë është lidhja e Beogradit me Moskën. Nuk e dimë se si mund të funksionojnë në rast të rritjes së tensioneve, drejt përshkallëzimit në veri”, tha Kurti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re