Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në seancën e sotme të Qeverisë së Kosovës se autoritetet e Kosovës këtë javë do të dorëzojnë aplikacionin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Siç e dini, ne jemi shteti i fundit në Ballkanin Perëndimor që aplikojmë për (anëtarësim) në Bashkimin Evropian, edhe pse jemi vendi i parë në këtë rajon për sa i përket sundimit të ligjit, lirisë dhe demokracisë”, tha Kurti gjatë seancës së qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, ka ardhur koha që statusi i një kandidati potencial të kalojë në një nivel më të lartë në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Kosova deri më tani ka nënshkruar vetëm Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit, rikujton Radio Evropa e Lirë.

Paraprakisht, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se paraqitja e kërkesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga autoritetet e Kosovës është “shkelje” e Marrëveshjes së Uashingtonit.

Vuçiç tha se u ka dërguar një letër presidentëve dhe kryeministrave të pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sepse beson se vetëm vendet e pavarura mund të kërkojnë pranim.

Ky akt i Kurtit ngjan me atë të Zelenksy-t, para dhe gjatë agresionit rus, siç ngjan Serbia me Rusinë.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re