Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai pranon propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si një bazë e mirë e diskutimeve të mëtejshme. Ndaj Kurtit ka një presion të shtuar të autoriteteve ndërkombëtare për ta themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Por për kryeministrin e Kosovës presioni duhet të bjerë mbi Beogradin për njohjen e Kosovës dhe jo mbi Prishtinën.

Kurti: Propozimi – platformë solide

Të hënën pasdite në Prishtinë qëndroi i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Kryeministri i Kosovës pas takimit tha se “shkëmbyen mendime e propozime për arritjen e një marrëveshje me Serbinë” me të dërguarin evropian.

“Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian, siç e kemi thënë edhe më herët, si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si një platformë solide për të ecur përpara. Çështje e pikëpyetje të caktuara kanë ngelur që të trajtohen së shpejti në bisedimet në Bruksel e që kanë të bëjnë me mekanizmat implementues, me garancitë ndërkombëtare dhe sekuencimin kohor, çka, si e kur, prandaj këto kanë mbetur të diskutohen në takimet, të cilat do t’i kemi në Bruksel”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se konceptet demokratike të këtij propozimi dhe orientimi evropian e mban atë fuqishëm dhe me shpresë.

Lajçak: Ujditë e dialogut duhet të zbatohen

Miroslav Lajçak, tha nga ana e tij, se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel duhet të zbatohen, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ai tha se me kryeministrin ka diskutuar edhe për disa kushte të paraqitura javën e kaluar nga Kurti që duhen plotësuar për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. “Ne kemi diskutuar për këtë çështje dhe kam informuar kryeministrin për qëndrimin tonë, por nuk dua të bëj analiza ligjore publike. Mendoj se ishte e dobishme që ne e bëmë këtë diskutim. Sërish ajo që duhet të përsëris është se gjithçka që është rënë dakord në dialog duhet të zbatohet”, tha Lajçak.

Nga Prishtina i ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, udhëtoi për në Beograd ku zhvilloi biseda me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Lajçak tha se ka biseduar “për propozimin dhe përgatitjen e një takimi konstruktiv të nivelit më të lartë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq”. Ky i fundit pas takimit shkroi se se kishte “një bisedë të hapur dhe miqësore me Miroslav Lajçakun”, duke shtuar se “kur them të hapur, atë vërtetë e mendoj. Më kuptuat të gjithë”, shkroi Vuçiq në Twitter. Një javë më parë Vuçiq gjatë një seance parlamentare në Kuvendin e Serbisë, përsëriti atë që i thanë diplomatët evropianë dhe amerikanë gjatë një takimi në Beograd, se “do të ketë pasoja, nëse Serbia nuk e pranon planin evropian për Kosovën”.

Reagime nga opozita në Kosovë

Ndërkohë në Prishtinë sapo kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi pranimin e planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por pa dhënë detaje të planit, pasuan reagimet e partive politike opozitare. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK Memli Krasniqi, shkroi se “kryeministri Kurti deklaroi se e ka pranuar propozimin Franko-Gjerman, pa shpjeguar asnjëherë për qytetarët e Republikës së Kosovës se çka përmban ai propozim. “Kështu, ai i dha drejtim një marrëveshjeje në fshehtësi, pa asnjë transparencë, duke lënë shumë pyetje pa përgjigje, të cilat i brengosin qytetarët tanë. Ku mbetën kushtet e tij? Cilat prej tyre u plotësuan e cilat jo? A janë përfshirë në këtë plan edhe kushtet e Serbisë? A është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe a është pjesë e saj edhe themelimi i Asociacionit? Mbi të gjitha, a e përfshin kjo marrëveshje njohjen e ndërsjellë?”, shkroi në reagimin e tij, Krasniqi.

Kritika kanë ardhur edhe nga partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës. “Kosova është shtet parlamentar dhe Kurti e ka obligim të raportojë në Kuvend për dialogun”, thuhet nga LDK. “Transparenca nuk do të duhej të mbetet peng i vullnetit të partisë në pushtet, është e detyrueshme dhe obligative që Kryeministri të raportojë në Kuvend, para të zgjedhurve të popullit, duke qenë se Kosova është shtet parlamentar”, u tha në reagimin e LDK-së.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, javën që shkoi në një seancë të Kuvendit tha se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të krijohet me disa kushte, pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Kushti kryesor sipas tij, është që Asociacioni “duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën në  Kosovës”. “Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas Kushtetutës. Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”, tha kryeministri Kurti.

Kurti do që “Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën”. Kryeministri Kurti ka përmendur edhe kushtin e fundit. “Presidenti i Serbisë t’i tërheqë letrat e dërguara në pesë shtetet e BE-së për mosaplikimin e Kosovës në BE.” Sipas tij, këto kushte “janë kushte politike dhe kanë bazë në aspektin demokratik, universal dhe evropian te qeverisjes dhe politikëbërjes”./DW

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re