Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se serbët në Kosovë nuk kanë autonomi sepse janë qytetarë të atij vendi, por se ka një njohje “de facto” mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk ka autonomi për serbët lokalë në Kosovë. Ata janë qytetarë të Republikës sonë dhe unë jam kryeministër i tyre. Ne i referohemi marrëveshjes kornizë të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Nuk ka vetëqeverisje, ka vetëm njohje de facto mes Kosovës dhe Serbisë”, ka arsyetuar ai.

Sipas tij, në Kosovë nuk mund të ketë pakica kombëtare të privilegjuara sepse privilegji për dikë mund të jetë diskriminim për tjetrin.

“Unë nuk jam për diskriminimin, shtypjen, shfrytëzimin dhe margjinalizimin e serbëve. Ne shqiptarët kemi një shekull nën sundimin serb, nuk do të përsërisim asgjë të ngjashme dhe nuk do të na shkojë kurrë në mendje, por nuk mund të kemi një superpakicë. Në Kosovë nuk mund të kemi njerëz të privilegjuar në bazë të përkatësisë kombëtare apo fetare, sepse privilegji për dikë bëhet diskriminim për dikë tjetër”, tha Kurti.

Kurti përsëriti edhe një herë se garanton se nuk do të ketë zgjidhje jotransparente që cenojnë kushtetutshmërinë dhe rendin republikan e demokratik të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës ishte në Tiranë të dielën, ku i njohu zyrtarët shqiptarë me procesin e dialogut me Serbinë, si dhe me marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, të cilat, tha ai, janë një arritje e madhe për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat ende nuk janë normale, edhe pse Kosova është një shtet normal dhe demokratik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re