Kryeministri Albin Kurti i dha një shpjegim politike shtyrjes me një muaj e zbatimit të reciprocitetit ndaj Serbisë me targa dhe dokumente. Kjo sipas tij, për shkak të fushatës së fuqishme dezinformuese të Beogradit te serbët e Kosovës.

“Përshkak të fushatës të madhe të dezinformimit që është bërë nga Beogradi mbi qytetarët serbë të Kosovës ne kemi pranuar tek faktorët amerikanë dhe evropianë ta shtyjmë zbatimin deri më 1 shtator, përshkak të fushatës së tmerrshme të dezinformimit jo përshkak të mungesës të fushatës tonë. Nuk ka pasë qytetar që ka dashtë të informohet që nuk është informuar por është e vërtetë se ka qenë shumë më e fuqishme fushata e dezinformimit”, argumentoi i pari i qeverisjes kosovare.

Kurti kaloi në planin tjetër, atë të durimit që duhet patur për zbatimin e kësaj mase.

“Ajo që është dashur të ndodhë para 11 vjetëve, ne po zbatojmë tani. 11 vjet ka pasur pritje dhe tash për më pak se 1 muaj ka nxitim. Pra ky muaj paska qenë më i rëndë se ato 11 vjet”, tha ai.

Kurti ofroi dhe një tregues shifror kur tha se me 1 gusht janë lëshuar 2679 dokumente në pikat kufitare me Serbinë, duke shtuar se pala kosovare është shumë më efiçente se ajo serbe.

“Përvec kësaj e kemi pasur edhe vendim që duhet të ketë një dokument për të gjithë ata që kanë dokumente të Serbisë që me atë dokument të mund të identifikohet nga autoritetet tona pasi edhe në Serbi zbatohet e njëjta gjë.

Çdo qytetar i Kosovës kur e kalon kufirin me Serbinë ia japin një dokument që duhet ta përdorë në atë territor dhe ne me datën 1 gusht kemi lëshuar 2679 dokumente të tilla mesatarisht për 20 sekonda ndërkaq kur shkon në Serbi shkon nga 10 minuta deri 1 orë. Pra ne jemi shumë më efikas në këtë aspekt”, u shpreh kryeministri vetëvendosës.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re