Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të intensifikojnë dialogun për zbatim të marrëveshjeve të 27 shkurtit në Bruksel dhe të 18 marsit në Ohër.

 

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të dielën, Kurti ka thënë se Kosova i qëndron pas politikave dhe vlerave demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Por shtensionimi i situatës në veri, sipas tij, duhet të nisë me largimin e bandave kriminale.

 

“Kosova i qëndron pas SHBA-së dhe BE-së në tërë kuptimin e fjalës, në politikën anti-Putin dhe në vlerat demokratike. Është aleat i pakompromis. Rruga përpara për deskalim të situatës në veri do të thotë ndalimi i menjëhershëm i dhunës nga bandat kriminale ndaj policisë, NATO-s, gazetarëve dhe kryetarëve. Në përputhje me situatën e sigurisë, me largimin e këtyre bandave dhe arrestimin e tyre, prania e policëve mund të zvogëlohej në mënyrë proporcionale. Dialogu për zbatimin e marrëveshjeve të 27 shkurtit dhe 18 marsit duhet të intensifikohet. Kemi nevojë për sekuencim të balancuar dhe fer të marrëveshjes bazike”.

 

Kreu i qeverise ka theksuar se deri në zgjedhjet e reja  në komunat veriore, kryetarët aktual duhet ta ushtrojnë detyrën e tyre, ndërsa u ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje.

 

“Këta  kryetarët e tanishëm kanë marrë pak vota, po të tjerët s’kanë marrë aspak vota. Serbët duhet të dalin në zgjedhje, dhe jo të bojkotojnë. Zgjedhjet duhet të jenë të lira, të hapura, pa frikë, pa kërcënime, pa banda kriminale”.

 

Albin Kurti ka përsëritur edhe një herë se objektet komunale janë ndërtesa që i përkasin Republikës së Kosovës dhe jo një etnie.

 

“Në Mitrovicë, Atiq po e konsolidon kabinetin e tij. Drejtorët nuk i ka vetëm shqiptarë. Edhe Hetemi e ka një nënkryetare serbe, ashtu si në Zveçan. Unë e kam ministër Nenad Rashiqin dhe kam bashkëpunim të mirë. Nuk është e drejtë të insistohet nga kushdo qoftë që në komunat veriore të ketë vetëm kryetar serb dhe të hyhet në objektet komunale vetëm kryetari serb. Ndërtesa është e Republikës. Nuk ka asnjë ndërtesë publike në Republikën e Kosovës ku mund të hyjë vetëm një etni. Ashtu i bie që ndërtesat të jenë segragacion, aparteid. E kemi përjetuar në shekullin e kaluar, nuk duam ta përjetojmë në këtë shekull. Jo për inat të ndokujt, por për hir të Republikës”

 

Kryeministri i Kosovës akuzoi edhe njëherë Beogradin se urdhëroi serbët në veri të Kosovës të tensiononin situatën duke ushtrur dhunë ndaj policisë dhe trupave paqeruajtës të KFOR.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re