Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se ka dorëzuar pranë Ministrisë së Jashtme të Kosovës 13 marrëveshjet ndërqeveritare të firmosura nga kabineti i tij.

 

Rama shprehet se mbeten vetëm për t’u firmosur dhe nga qeveria e Kurtit për të hyrë në fuqi. Në këtë formë sipas Ramës, hiqet dhe meraku i kryeministrit të Kosovës që qytetarët të mund të përfitojnë nga marrëveshjet.

 

Kjo lëvizje e Ramës vjen disa orë përpara takimit të tij në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

 

Në axhendë parashikohet dhe takimi me kryeministrin Kurti, por ky i fundit deklaroi një ditë më parë se nuk do të takohet me kryeministrin Rama nëse takimi nuk shërben si mbledhje ndërqeveritare.

 

Nuk dihet ende qëndrimi që Kurti do të mbajë, pas dorëzimit të marrëveshjeve të firmosura nga qeveria shqiptare.

 

“Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite“, shkruan Rama, i cili është ende në pritje të konfirmimit të takimit nga Kurti.

Rama po zhvillon turin e tij në Ballkan në kuadër të vijmësisë së procesit të Berlinit, pas mbylljes së “Open Ballkan“.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re