Kryeministri Kurti shpjegoi para deputetëve të Kuvendit dakortësinë e tij në Bruksel për një draft-statut mbi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga diplomatët ndërkombëtarë.

Sipas tij, kjo do pengonte mosnjohjen e Kosovës.

“E para, drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimetuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Pra, në gjykimin tim politik, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës, si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues minues për Republikën në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial”, arsyetoi Kurti.

Ai megjithatë tha se draft-statutin zyrtarisht ende nuk e ka pranuar. “Ta pranosh nënkupton të pajtohesh që të ndërmarrësh obligime për zbatimin e draftit”, tha ai, duke shtuar se ai ka ofruar që ta nënshkruajë atë dhe “si rrjedhojë ta pranoj”.

Kurti tha se draft-statuti është shkruar me kujdes ndaj germës së Kushtetutës, më shumë sesa frymës së saj. Megjithatë, ai tha se në draft parashihet që ky dokument të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Kryeministri kosovar deklaroi para deputetëve se nuk mund të ofrojë detaje të draft-statutit, por mund të japë vetëm qëndrimin e tij politik.

“E dyta, drafti në vlerësimin tim politik e bënë të qartë që mekanizmi që do të themelohet do të ketë karakter koordinues dhe bashkëpunues. Pra, nuk do paragjykoj e as ndërhyjë në kompetencat e komunave të organeve qendrore e kështu me radhë”, tha Kurti.

“E treta, drafti ia mbyll hapësirën e përdorur nga Serbia që serbëve në Kosovë t’iu projektojë një të ardhme jashtë kufijve të Kosovës apo në mosnjohje të kufijve të Kosovës e rrjedhimisht ata të jetonin me ndjenjën e imponuar nga Beogradi për një luftë të re për territorin, a shkëmbim territorial a bashkim për këdo tjetër. Pra drafti e bën të qartë që vendi është Republika e Kosovës dhe e ardhmja është bashkëjetesa në institucionet dhe në kufijtë e Republikës së Kosovës. Kjo i bie që Serbia do të duhej të hiqte dorë nga premisa që serbët në Kosovë jetojnë në Serbi apo që serbët në Kosovë mund të kenë aspirate shkëputëse territoriale apo autonomi jashtë Republikës së Kosovës, jashtë ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës”, shtoi ai.

Sipas Kurtit për çdo ndryshim në statut të Asociacionit, do të bëhet pasi të jetë pranuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, pasi Gjykata Kushtetuese të ketë dhënë aktgjykim lejues.

“Kjo e përmbysë atë që e ndërtonin marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 përkatësisht supozimin që e krijonin ato që pjesëmarrësit në një asociacion do të jenë të lirë të avancojnë atë në një drejtim të panjohur. Një drejtim i tillë i panjohur më nuk ekziston dhe tash drejtimi është i qartë dhe i njohur e ajo është Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës kapërcimet, avancimet e tejkalimet nuk lejohen dhe nuk mund të ndodhin”, tha Kurti.

Kurti tha se draft-statuti iu prezantua nga përfaqësuesit e “Pesëshes së Madhe” më 21 tetor në Prishtinë, të cilët, sipas tij, “më kërkuan garancione që drafti të mos e bëj publik, për shkak që publikimi i tij do të keqpërdorej në dëm të kontributit të qeverive sponsorizuese”.

Gjatë replikave, Kurti tha se drafti është “pakrahasueshëm më i mirë” sesa marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. /REL/

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re