Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Republika Srpska është bërë një lloj Kaliningradi në rajon dhe se është një kërcënim për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Kurti tha se Rusia është e interesuar për vazhdimin e luftës dhe e sheh atë si kërcënim jo vetëm për Moldavinë dhe Gjeorgjinë, por edhe për Ballkanin Perëndimor përmes Serbisë, duke shtuar se “Republika Srpska është bërë një lloj Kaliningradi në rajonin tonë”.

Për kujtesë, rajoni i Kaliningradit është një enklavë ruse që kufizohet me Lituaninë në veri, me Poloninë në jug dhe me Detin Baltik në perëndim. Zgjerimi i BE-së në vitin 2004, kur Polonia dhe Lituania u bënë anëtare, nënkuptonte që zona e kontrolluar nga Rusia ka pasur kufij tokësorë me BE-në që atëherë.

Kurti po ashtu theksoi se kishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që ta ndihmojnë Kosovën në NATO.

“Ne duam të anëtarësohemi në NATO dhe BE, por është shumë e mundur që për shumë faktorë të mund të anëtarësohemi në NATO para BE-së. Kemi kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të na ndihmojnë për anëtarësimin në NATO. Kemi marrë përgjigje dhe kemi punuar ngushtë së bashku dhe po bëjmë një lloj tranzicioni të ushtrisë sonë”, zbuloi ai.

Ai shtoi se Kosova e ka rritur buxhetin e saj të mbrojtjes me 52 për qind dhe i sheh Shtetet e Bashkuara si një aleat të domosdoshëm në forcimin dhe mbrojtjen e sigurisë së Kosovës dhe në hapat drejt anëtarësimit në NATO.

“Besoj se pushtimi rus në Ukrainë do të rrisë perspektivat dhe shpejtësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO”, tha Kurti.

Ai së fundi i tha CNN se Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme sepse Serbia “mund të luajë rolin e përfaqësuesit të Federatës Ruse në Ballkanin Perëndimor”.

 “Ministria ruse e Mbrojtjes ka një zyrë të veçantë në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë. Tani që ‘blitzkrieg’ rus në Ukrainë po dështon, ne jemi të shqetësuar se ata mund të përpiqen të zgjerojnë konfliktin dhe se Ballkani Perëndimor mund të jetë një fushëbetejë e re ruse përmes përfaqësuesve të tyre (ndërmjetësve) – Serbisë ose Republika Srpska,” tha Kurti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re